
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas rezultateve të zgjedhjeve të 11 majit, të cilat i konsideron si një “masakër elektorale” dhe një nga farsat më të rënda të tranzicionit shqiptar.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se aksioni opozitar do të vijojë në të gjitha frontet, brenda dhe jashtë vendit.
“Beteja jonë do të jetë e hapur në të gjitha frontet. Do të dokumentojmë çdo blerje, çdo dhunim të hapur publik dhe të fshehtë të ligjeve të vendit”, u shpreh ai, duke e quajtur procesin zgjedhor të 11 majit si “farsa më e shëmtuar e 33 viteve në Shqipëri”.
Sipas tij, Partia Demokratike do të ndërmarrë lëvizje të fuqishme brenda vendit në mbrojtje të votës së lirë, por gjithashtu do të angazhohet në një tur takimesh me organizata ndërkombëtare dhe shtete partnere, për të denoncuar në mënyrë të dokumentuar atë që Berisha e cilëson si një “krim zgjedhor”.
Ai paralajmëroi edhe një lëvizje ndërkombëtare opozitare, duke deklaruar:
“Shumë shpejt do të jetë dita kur ambasadat e narkodiktatorit do të rrethohen në të gjitha kryeqytetet e vendeve, nga populli që iu shkelmua vota.”
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka shfaqur një armiqësi të hapur ndaj lirisë dhe votës së shqiptarëve, dhe tha me bindje se Rama nuk do ta përfundojë mandatin:
“Kam bindjen e thellë se këtë mandat nuk do ta gëzojë. Dhe do të përgjigjet për këtë masakër elektorale që bëri, haptas dhe pa asnjë kufizim.”
Opozita pritet të bëjë publike në ditët në vijim edhe hapat konkretë që do të ndjekë për intensifikimin e protestave.