Vendosni fjalën kyçe....

SHBA të shqetësuara për situatën humanitare në Gaza, Rubio: Nuk jemi të pandjeshëm ndaj vuajtjeve


Diplomati më i lartë amerikan, Marco Rubio, deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për gjendjen humanitare në Gaza. Komentet e tij u bënë ndërsa të paktën 114 palestinezë humbën jetën nga sulmet ajrore izraelite të enjten, sipas zyrtarëve të shëndetësisë.

Kur u pyet nga BBC nëse administrata Trump vijon të mbështesë plotësisht veprimet ushtarake të Izraelit, përkundër shkallës së bombardimeve të fundit dhe goditjes së spitaleve, Rubio përsëriti thirrjen që Hamasi të dorëzohet dhe të lirojë pengjet. Ai theksoi se nuk mund të ketë paqe për sa kohë që Hamasi ekziston.

“Megjithatë, nuk jemi imunë apo të pandjeshëm ndaj vuajtjeve të popullit të Gazës. E dimë që ka mundësi për të ofruar ndihmë humanitare për ta,” tha Rubio.

Gaza është nën një bllokadë të plotë izraelite prej më shumë se 10 javësh, që përfshin ndalimin e furnizimeve me ushqime dhe ndihma. Ndërkohë, forcat izraelite kanë intensifikuar sulmet ndaj asaj që e quajnë infrastrukturë të Hamasit dhe luftëtarëve të tij, përpara një ofensive tokësore të zgjeruar.

Deklaratat e Rubios, të bëra pas një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në Turqi, duket se i referohen një propozimi të përbashkët izraelito-amerikan për shpërndarjen e ndihmave përmes ofruesve privatë në pika të posaçme në Gaza – një plan i refuzuar nga OKB-ja si joetik dhe i pazbatueshëm.

Komentet vijnë në kohën kur Donald Trump po viziton rajonin dhe negociatat indirekte mes Izraelit dhe Hamasit për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve janë ende në zhvillim.

Ndërkohë, Hamasi akuzoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për “minimin e përpjekjeve për ndërmjetësim me përshkallëzim të qëllimshëm ushtarak”. Një zëdhënës i qeverisë izraelite tha se Izraeli dëshiron që negociatat për lirimin e pengjeve të kenë sukses, por se ato do të vazhdojnë ndërkohë që Hamasi është nën “presion ushtarak”.

SHBA-të, si furnizuesi kryesor i armëve për Izraelin, zakonisht kanë mbajtur një qëndrim më të rezervuar për viktimat civile palestineze. Komentet e Rubios shënojnë një ton më ndryshe, pasi më herët ai ka reaguar vetëm duke kërkuar dorëzimin e Hamasit. Ky ndryshim vjen gjithashtu në mes të raportimeve për një përçarje të mundshme mes Trump dhe Netanyahut./BBC