
Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur në fshatin Sheqeras të bashkisë Maliq, ku dy adoleshentë janë përfshirë në një konflikt fizik që ka përfunduar me plagosjen e njërit prej tyre me thikë.
Sipas burimeve nga policia dhe raportimeve në terren, një 14-vjeçar ka goditur me mjet prerës një 15-vjeçar, i cili është dërguar menjëherë në spital. Mjekët konfirmojnë se i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën, pavarësisht se ka marrë plagë në bark dhe në shpatull.
Konflikti mes të miturve ka lindur për motive të dobëta dhe nuk ishte hera e parë që ata përplaseshin. Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në një rrugicë në hyrje të fshatit, ku të dy janë përballur fizikisht.
14-vjeçari është ndaluar nga policia dhe në deklarimet e para ka pohuar se e kishte qëlluar shokun pasi ky i fundit e kishte ngacmuar vazhdimisht me fjalë.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa është ngritur një grup hetimor për të trajtuar çështjen në përputhje me ndjeshmërinë që mbart përfshirja e të miturve në akte të dhunshme.