Vendosni fjalën kyçe....

Macron në Tiranë: Siç e propozoi Edi, është koha të ngremë një sekretariat të BE-së këtu


Presidenti francez Emmanuel Macron, në fjalën e tij gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, theksoi rëndësinë e unitetit evropian përballë sfidave gjeostrategjike dhe theksoi se përparësia politike sot është mbrojtja e rendit ndërkombëtar.

“Pikësëpari është agresioni në Ukrainë. Presidenti Zelensky e di se sa kemi bërë. Kemi krijuar një koalicion të të vullnetshmëve. Duhet thënë qartë se Rusia nuk dëshiron armëpushim, por SHBA dhe BE po e kërkojnë,” u shpreh Macron.

Ai nënvizoi nevojën për një paqe të qëndrueshme në Ukrainë dhe përfundimin e konfliktit mes Armenisë dhe Azerbajxhanit. Gjithashtu, Macron kërkoi mbështetje për Moldavinë ndaj presioneve të Rusisë dhe theksoi domosdoshmërinë e një qëndrimi të përbashkët për situatën në Rripin e Gazës.

“Është e rëndësishme që ne të mbështesim popullatat në krizë. Bota, nga Kina në Indi dhe Paqësori, e ka vëmendjen te ne për çështjen e Ukrainës,” tha Macron.

Ai theksoi gjithashtu tri prioritete për Evropën:

  1. Lufta kundër trafikut dhe korrupsionit, përfshirë propozimin për një koalicion evropian për kontrollin e porteve dhe lumenjve.

  2. Siguria demokratike, duke përmendur ndërhyrjet dhe kërcënimet në zgjedhjet në vende si Rumania dhe Moldavia.

  3. Siguria ekonomike, me nevojën për të hequr barrierat tregtare dhe thelluar integrimin rajonal.

“Evropa ka mbi 700 milionë banorë, më shumë se SHBA dhe me një treg më ndikues se ai i Kinës. Duhet të bashkërendohemi për të përballuar konkurrencën nga Azia dhe për të mbrojtur ekonominë tonë,” deklaroi presidenti francez.

Në fund, Macron mbështeti idenë e ngritjes së një sekretariati të përhershëm të Komunitetit Politik Evropian, siç u propozua nga kryeministri Edi Rama, për të institucionalizuar këtë platformë dhe për ta bërë atë më efikase në veprim.