Vendosni fjalën kyçe....

Liderët evropianë zhvillojnë bisedë telefonike me Trump gjatë qëndrimit në Tiranë


Në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Europian, i mbajtur sot në Tiranë, liderët e vendeve kryesore evropiane u mblodhën për të diskutuar sfidat gjeopolitike dhe të sigurisë me fokus të veçantë luftën në Ukrainë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, konfirmoi përmes një postimi në platformën “X” (ish-Twitter) se gjatë takimit me udhëheqësit e Francës, Emmanuel Macron, të Gjermanisë, Friedrich Merz, të Britanisë, Keir Starmer, dhe të Polonisë, Donald Tusk, ata zhvilluan një bisedë telefonike me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

Sipas Zelenskyt, në këtë telefonatë është diskutuar zhvillimi i parë i bisedimeve ruso-ukrainase të mbajtura në Turqi. Ai tha se Ukraina është gati të ndërmarrë “hapat më të shpejtë të mundshëm për të sjellë paqe të vërtetë”.

Takimi në Tiranë vjen në një moment kyç për kontinentin dhe veçanërisht për Ukrainën, teksa përpjekjet ndërkombëtare për një zgjidhje paqësore të konfliktit me Rusinë janë intensifikuar. Pjesëmarrja e liderëve të vendeve të mëdha evropiane në këtë samit konsiderohet si një sinjal i fortë për unitetin dhe mbështetjen ndaj Ukrainës në përballjen me agresionin rus.

“Folëm me Donald Trump së bashku me Presidentin Macron, Kancelarin Federal Merz, Kryeministrat Starmer dhe Tusk.  Diskutuam takimin në Stamboll. Ukraina është gati të ndërmarrë hapat më të shpejtë të mundshëm për të sjellë paqe të vërtetë dhe është e rëndësishme që bota të mbajë një qëndrim të fortë.
Qëndrimi ynë nëse rusët refuzojnë një armëpushim të plotë dhe pa kushte dhe një fund të vrasjeve, duhet të pasojnë sanksione të ashpra. Presioni mbi Rusinë duhet të mbahet derisa Rusia të jetë gati t’i japë fund luftës. Faleminderit të gjithëve në botë që po ndihmojnë”, shkruan Zelensky.