Vendosni fjalën kyçe....

Grupi i aventurierëve synojnë të ngjiten në Everest brenda një jave…duke thithur një gaz anestezik


Filloi në pijetore, me disa birra. Katër ish-shokë ushtarakë kishin folur për një udhëtim aventuresk për të mbledhur para për një bamirësi për veteranët, kur njëri solli mundësinë e ngjitjes së Everestit.

“Ne jemi të gjithë njerëz të zënë. Përgjigja ime ishte: “Nuk mund të kaloj katër deri në gjashtë, ndoshta edhe tetë javë duke u ngjitur në Everest, është pothuajse e pamundur,” tha Al Carns, një ligjvënës britanik për CNN.

Por një nga miqtë e tij kishte një sfidë: Ai kishte dëgjuar për një mënyrë të re për të ndryshuar procesin e ambientimit që mund t’i lejonte ata të arrinin majën 8,849 metra në më pak se një javë, duke thithur një gaz të quajtur ksenon përpara ekspeditës.

Këtë muaj, katër burrat – një pilot, një politikan, një biznesmen dhe një sipërmarrës, do përpiqen të arrijnë Everestin në shtatë ditë: ata do fluturojnë nga Britania e Madhe për në Katmandu, ku do marrin një helikopter në kampin bazë dhe do përpiqen të ngjiten në mal brenda pak ditësh, përpara se të kthehen në shtëpi në atë që do të ishte diçka historike.

Ata shpresojnë se kjo do bëhet e mundur duke thithur gazin ksenon 10 ditë më parë, si pjesë e një turneu me Furtenbach Adventures.

“Para se të mund të ngjiteni në malin Everest, duhet ta përshtatni trupin tuaj me nivelet e ulëta të oksigjenit”, tha për CNN Travel, Lukas Furtenbach, kreu i Furtenbach Adventures.

“Ju mund ta bëni këtë në një mënyrë tradicionale, pëmes ecjes në kampin bazë dhe më pas disa ngjitje-zbritje në mal, dhe më pas, pas javësh ambientimi, trupi juaj është gati të ndërtojë mjaftueshëm qeliza të kuqe gjaku dhe më pas mund të filloni përpjekjen tuaj për të arritur majën”, shtoi ai.

Furtenbach tha se ai kishte folur gjatë me një mjek që ishte ekspert në gazrat si ksenon, i cili ndonjëherë përdoret si anestezik.

Furtenbach ishte i bindur për aftësinë e tij për të rritur prodhimin e eritropoetinës nga trupi, e njohur gjithashtu si EPO, një hormon i prodhuar natyrshëm nga veshkat e njeriut për të stimuluar prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut.

“Një efekt i përdorimit të ksenon është se ai shkakton prodhimin e EPO të trupit dhe kjo çon në një rritje të qelizave të kuqe të gjakut dhe ky është i njëjti efekt që keni kur jeni duke u ambientuar në lartësinë e vërtetë në mal”, shtoi ai.

Furtenbach i tha CNN se fillimisht testoi efektet e gazit tek vetja teksa ngjitej në Aconcagua të Argjentinës 6,961 metra dhe një vit më vonë e çoi atë në Everest për ta provuar me një ekip më të madh. Në kohën kur fliste me CNN, ai kishte përdorur ksenon pesë herë.