
Në hapje të Samitit të Komunitetit Politik Evropian që po zhvillohet në Tiranë, Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, bëri thirrje për unitet mes vendeve të kontinentit dhe theksoi domosdoshmërinë e përkushtimit të përbashkët për paqe, veçanërisht në raport me luftën në Ukrainë.
“Duhet të jemi të bashkuar dhe Europa duhet të arrijë të sjellë një paqe afatgjatë për Ukrainën. Siguria juaj është edhe siguria jonë, i dashur Vladimir,” deklaroi Costa, duke iu drejtuar presidentit ukrainas Zelensky.
Ai vuri theksin edhe te situata në Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar se mosveprimi i Evropës mund të dëmtojë jo vetëm sigurinë e kontinentit, por edhe rolin e saj në arenën ndërkombëtare.
“Nëse nuk arrijmë të sjellim paqe në Lindjen e Mesme, do të minohet jo vetëm siguria e Evropës, por edhe autoriteti ynë moral dhe politik,” u shpreh më tej Costa.
Mesazhi i tij erdhi në një moment kyç për bashkëpunimin politik dhe strategjik mes vendeve evropiane në sfondin e konflikteve globale.