Vendosni fjalën kyçe....

Rama për kampet e refugjatëve nga Britania: Jemi të martuar me Italinë, pjesa tjetër është thjesht dashuri


Kryeministri Edi Rama, gjatë një konference për shtyp me homologun britanik Keir Starmer, përjashtoi mundësinë që në Shqipëri të ngrihen kampe refugjatësh nga Britania e Madhe, siç ndodh aktualisht në kuadër të marrëveshjes me Italinë.

I pyetur drejtpërdrejt për këtë çështje, Rama u përgjigj me një batutë karakteristike:
“Ne jemi besnikë të martesës me Italinë. Me të tjerët është thjesht dashuri.”

Nga ana e tij, kryeministri britanik Starmer vlerësoi rezultatet e bashkëpunimit me Shqipërinë në uljen drastike të emigracionit të paligjshëm nëpërmjet Kanalit të La Manshit.
“Shifrat tregojnë një ulje prej 94% të shqiptarëve që tentonin kalimin me gomone. Bashkëpunimi ynë ka qenë shumë efektiv,” tha Starmer, duke shtuar se modeli i suksesshëm mund të zgjerohet edhe në vende të tjera të rajonit.

Rama nënvizoi se marrëveshja me Italinë është një model që po testohet dhe nuk është e aplikueshme për të gjitha vendet.
“Për të qenë i sinqertë, edhe vende të tjera na kanë kërkuar marrëveshje të ngjashme, por kemi refuzuar. Jemi besnikë të kësaj ‘martese’ me Italinë,”shtoi ai.

Në konferencë u diskutua gjithashtu edhe për samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në Londër në tetor, ku Britania e Madhe do të mirëpresë për herë të parë këtë nismë të BE-së për rajonin. Rama tha se kjo do të jetë një mundësi për të rritur bashkëpunimin ekonomik dhe për të forcuar luftën rajonale kundër emigracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar.