
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka reaguar në një konferencë për mediat, duke denoncuar publikisht kërcënimin e një qytetari që kishte bërë publike një video që dokumentonte shit-blerjen e votës.
Sipas Palokës, qytetari në fjalë, i identifikuar me emrin Lulzim dhe që punon si taksist, është kërcënuar nga dy persona në vendin e tij të punës. “Fjalët kanë qenë të qarta: ‘Çfarë i ke bërë vetes me atë që ke nxjerrë, do ta shohësh çfarë do të të bëjmë’,” deklaroi Paloka, duke e cilësuar këtë një përpjekje të qeverisë për të mbyllur gojën e denoncuesve të manipulimeve zgjedhore.
Ai theksoi se Partia Demokratike do ta marrë në mbrojtje publike denoncuesin, duke paralajmëruar se askush nuk mund të frikësojë demokratët apo qytetarët që guxojnë të flasin. “Rama nuk luan dot me demokratët,” tha Paloka, duke akuzuar policinë se bashkëpunon me autorët e krimeve zgjedhore dhe ndëshkon ata që denoncojnë.
“Kur njerëzit tanë kapnin kriminelët elektoralë duke blerë vota, vinte policia dhe arrestonte atë që kishte kapur hajdutin,” shtoi ai, duke deklaruar se kjo është dëshmi e kapjes së shtetit nga pushteti aktual.
Paloka e përfundoi deklaratën duke thënë se blerja e votës është kthyer në një praktikë të zakonshme në Shqipëri, por PD do të vijojë denoncimin dhe do të mbrojë me vendosmëri çdo qytetar që ngrit zërin ndaj padrejtësisë.