Vendosni fjalën kyçe....

Antonio Costa në Tiranë: Rezultati i zgjedhjeve konfirmoi dëshirën e shqiptarëve për BE-në


Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin Edi Rama në Tiranë, deklaroi se zgjedhjet e 11 majit dëshmuan qartë dëshirën e qytetarëve shqiptarë për integrimin në Bashkimin Evropian.

 “Zgjerimi me Ballkanin Perëndimor është një nga investimet më të rëndësishme që po bën Bashkimi Evropian. Ky është momenti i duhur për të çuar përpara këtë proces. Shqipëria është mishërimi i këtij rrugëtimi drejt anëtarësimit dhe është në rrugën e duhur”, u shpreh Costa, duke përgëzuar kryeministrin Rama për fitoren në zgjedhje.

Ai theksoi se integrimi evropian është një objektiv i përbashkët, por kërkon përkushtim të vazhdueshëm. Në këtë kontekst, ai përmendi dy prioritete thelbësore për Shqipërinë: sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

“Ju e dini çfarë duhet bërë. Ajo që dua të bëj është t’ju inkurajoj që të mbani sytë te objektivi. Dy çështjet kyçe janë sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit”, theksoi Costa.

Presidenti i KiE vlerësoi gjithashtu përparimin në dialogun e nivelit të lartë mes Shqipërisë dhe BE-së, duke përmendur Samitin e Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet për herë të parë në këtë pjesë të Evropës dhe që do të mbledhë rreth 40 liderë në Tiranë.

“Qëndrojmë së bashku në arenën ndërkombëtare. Dialogu i fundit në nivele të larta BE-Shqipëri ishte një shembull i afrimit të mëtejshëm. Jam i bindur se samiti i kësaj jave do të jetë mbresëlënës”, tha ai.

Costa përgëzoi gjithashtu ish-përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, për nismën e hapjes së Kolegjit të Evropës në Tiranë, duke e konsideruar këtë një hap simbolik për afrimin e mëtejshëm të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Ai u shpreh optimist për të ardhmen evropiane të Shqipërisë duke thënë se: “Ky është momenti si në vitin 1992 për të marrë hapin tjetër të rëndësishëm drejt Evropës.”