Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Qeveria kreu krim elektoral – 10 mijë punësime, licenca për kanabis dhe falje gjobash për të blerë vota


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për një “krim elektoral të pashembullt”, duke deklaruar se janë kryer mbi 10 mijë punësime në administratë publike me qëllim blerjen e votës.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se grupe kriminale kanë vepruar në mënyrë të koordinuar në 10 qarqe dhe mbi 20 bashki të vendit për të siguruar fitoren e 30 kandidatëve të Partisë Socialiste. Ai përmendi bashkitë Vorë, Peshkopi, Mat, Durrës dhe Elbasan si zona ku, sipas tij, bandat kanë vepruar hapur, pasi “puna nëntokësore” nuk po jepte rezultat.

Sipas Berishës, qeveria ka shpërndarë 138 licenca për kultivimin e miliona bimëve kanabisi, me një vlerë të përllogaritur prej 1 mijë euro për çdo bimë.

“Ky është një mekanizëm direkt i financimit të krimit dhe manipulimit elektoral,” u shpreh ai.

Ai gjithashtu e cilësoi si blerje të hapur të votës faljen e 200 milionë eurove në gjoba dhe kamata, që u shpall vetëm dy ditë para zgjedhjeve.

Edi Rama nuk e fshehu këtë herë krimin elektoral,” deklaroi Berisha, duke shtuar se situata është bërë tashmë objekt barcaletash edhe në nivel ndërkombëtar.