Vendosni fjalën kyçe....

Trump në Arabinë Saudite, pritet nga Princi i Kurorës në aeroport


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka mbërritur në Arabinë Saudite, në ndalesën e parë të një turi në Lindjen e Mesme që përfshin gjithashtu Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Megjithatë, vëmendja më e madhe e këtij udhëtimi lidhet me sfidat e ndërlikuara rajonale që përfshijnë Izraelin dhe Iranin.

Pas përfundimit të një armëpushimi dy muaj më parë, Izraeli ka intensifikuar sulmet në Rripin e Gazës, ndërkohë që bllokada ndaj ushqimeve, barnave dhe furnizimeve të tjera po thellon krizën humanitare. Nga ana tjetër, Irani, armik i Izraelit dhe rival i përhershëm i Arabisë Saudite, thuhet se është në prag të zhvillimit të armëve bërthamore.

Në Riad, masa të rrepta sigurie janë vendosur përreth Qendrës Ndërkombëtare të Konferencave të Mbretit Abdulaziz, ku do të mbahet një forum investimesh në të cilin pritet të marrë pjesë edhe Trump. Polici të armatosur me pushkë dhe të veshur me jelekë antiplumb po sigurojnë zonën, ndërsa oficerë të tjerë patrullojnë me qen të racës Malinois belg për të kontrolluar automjetet që hyjnë në zonë.

Qendra ndodhet pranë Pallatit Al Yamamah, rezidenca dhe vendi i punës së Mbretit Salman, si dhe pranë hotelit Ritz Carlton – i njohur për arrestimet e bujshme në vitin 2017, kur Princi i Kurorës Mohammed bin Salman ndaloi një numër princash, biznesmenësh dhe zyrtarësh të lartë në një fushatë të paprecedentë kundër korrupsionit.

Trump dhe princi i kurorës pritet të marrin pjesë së bashku në një drekë në Oborrin Mbretëror.

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e AP

Përshtati për Hashtag.al, Aurora Hoxha