Vendosni fjalën kyçe....

PS kryeson në Tiranë, “Mundësia” kërcënon mandatin e 14-të të PD


Procesi i numërimit të votave në Qarkun e Tiranës është drejt fundit, ku janë numëruar 1,106 nga 1,282 kuti në total. Deri tani, Partia Socialiste kryeson bindshëm me 175,386 vota ose 47.66%, duke siguruar 19 mandate, një më shumë krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.

Në vend të dytë qëndron Koalicioni PD–Aleanca për Shqipërinë Madhështore, me 129,758 vota ose 35.26%, duke mbajtur për momentin 14 mandate.

Forca e tretë në qark është Partia “Mundësia” e Agron Shehajt, e cila ka marrë 18,302 vota (4.97%) dhe ka siguruar një mandat. Aktualisht, kjo forcë është shumë pranë sigurimit të mandatit të dytë, i cili mund të rrezikojë mandatin e fundit të PD-së në qark.

Ndërkohë, Partia Socialdemokrate (PSD) me 3.49% dhe Koalicioni Nisma “Shqipëria Bëhet” me 3.04% kanë fituar nga një mandat secili. Koalicioni Euroatlantik, ndonëse ka grumbulluar 1.88%, nuk siguron përfaqësim në Kuvend.