Vendosni fjalën kyçe....

Meloni dhe Sanchez urojnë Ramën për fitoren në zgjedhje


Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ishte e para liderë ndërkombëtarë që uroi homologun shqiptar, Edi Rama, për fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit. Përmes një mesazhi zyrtar, Meloni vlerësoi marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve dhe shprehu angazhimin për bashkëpunim të mëtejshëm.

“Do të doja t’i shprehja urimet e mia të sinqerta kryeministrit Edi Rama për rikonfirmimin e tij si kreu i qeverisë shqiptare. Miqësia e thellë dhe bashkëpunimi strategjik mes dy kombeve tona janë forcuar ndjeshëm falë dialogut të vazhdueshëm dhe iniciativave të përbashkëta,” shkruan Meloni. Ajo theksoi synimin për të thelluar më tej partneritetin dypalësh, përfshirë kontributin në stabilitetin e Ballkanit dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur urimit me një mesazh në platformën X (ish-Twitter), ku e falënderon Melonin për mbështetjen dhe e cilëson “një privilegj” bashkëpunimin me të.

“Faleminderit, motër. Është një nder të shërbej një marrëdhënie të jashtëzakonshme si ajo mes Shqipërisë dhe Italisë, dhe një privilegj të punoj me një lidere si ti, që thua atë që bën dhe bën atë që thua. Nuk e di nëse e kam shkruar saktë un lider apo una lidere, por e di që më e mira për vendet tona ende nuk ka ardhur”, shkruan Rama me një ton miqësor dhe personal.

Ndërkohë, një tjetër përgëzim i rëndësishëm erdhi nga kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, gjithashtu lider i Partisë Socialiste të Punës së Spanjës (PSOE). Sanchez përmes një postimi në rrjetet sociale uroi Ramën për “fitoren bindëse” të PS-së dhe mbështetjen popullore për integrimin evropian.

Urime Edi Rama për fitoren bindëse të Partisë Socialiste. Shqiptarët mbështesin në mënyrë dërrmuese përpjekjet për ta çuar Shqipërinë në Bashkimin Evropian”, deklaroi Sanchez.

Në përgjigje, Rama shprehu mirënjohje të thellë për homologun spanjoll, duke theksuar lidhjet e forta mes dy partive socialiste dhe mbështetjen e vazhdueshme të Spanjës për Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në BE.

“Faleminderit, vëllai im i dashur. Një privilegj të udhëheq PS-në në të njëjtën periudhë me udhëheqjen tënde mbresëlënëse në krye të PSOE-së dhe Internacionales Socialiste. Përjetësisht mirënjohës për mbështetjen tënde”, shkroi Rama.