Vendosni fjalën kyçe....

OSBE: SPAK ndikoi pozitivisht në hetimin e krimeve zgjedhore, vota e diasporës një hap përpara për demokracinë


Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka vlerësuar në mënyrë pozitive rolin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në procesin zgjedhor të mbajtur në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një faktor që ka kontribuar në frenimin dhe ndjekjen penale të krimeve zgjedhore.

Në një deklaratë zyrtare pas përfundimit të procesit të votimit, përfaqësuesi i OSBE-së nënvizoi se hetimet e ndërmarra nga SPAK kanë sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e integritetit të zgjedhjeve dhe kanë shërbyer si mekanizëm parandalues për abuzime të mundshme.

“SPAK ka luajtur një rol pozitiv në hetimin e krimeve zgjedhore. Përveç ndjekjes penale, ka pasur një efekt frenues që vlen të përmendet,” deklaroi përfaqësuesi i OSBE-së, duke shtuar se organizata mbetet e angazhuar për të bashkëpunuar ngushtë me institucionet shqiptare dhe përfaqësuesit e rinj të zgjedhur në shërbim të interesit publik.

Në të njëjtën deklaratë, OSBE e konsideroi përfshirjen e votës së diasporës në zgjedhjet e vitit 2025 si një arritje të rëndësishme për përmirësimin e proceseve demokratike në vend.

“Vota e diasporës është një hap përpara për forcimin e demokracisë shqiptare,” u shpreh përfaqësuesi.

Ky vlerësim i OSBE-së vjen në një kohë kur vëzhgues të ndryshëm ndërkombëtarë kanë ndjekur nga afër procesin zgjedhor në Shqipëri, për të garantuar që ai të zhvillohet sipas standardeve demokratike.