
Aktivistja shqiptare Evi Kokalari ka akuzuar hapur liderin e demokratëve, Sali Berisha, për humbjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Përmes një reagimi të ashpër në rrjetet sociale, Kokalari thekson se përgjegjësia për rezultatin katastrofik nuk i takon Edi Ramës, por vetë Berishës.
“Sali Berisha nuk humbe se të vodhi vota Rama. Humbe se vodhe ti demokratët nga meritokracia dhe turp që re në 13% nga zgjedhjet e 2021!!”, shkruan Kokalari në një status në Facebook.
Ajo ironizon përpjekjet e mëparshme të Berishës për të shpëtuar imazhin politik përmes strategut amerikan LaCivita: “Të thamë s’ka LaCivita që të shpëton, por vazhdo bjeri murit me kokë, se ke marrë një popull në qafë.”
Duke e cilësuar rezultatin si një “humbje fatale të demokracisë shterpë”, Kokalari thekson se në vitin 2021, nuk ishte Berisha shpresa e demokratëve: “Prapë nuk e kupton, në 2021 nuk ishe ti shpresa. Isha unë.”
Ky reagim vjen në një kohë të tensionuar për opozitën shqiptare, pas rezultateve zhgënjyese në zgjedhjet e 11 majit, ku PS-ja e Edi Ramës duket se do të sigurojë një mandat të katërt qeverisës.