
Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, këtë vit kanë marrë pjesë edhe shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Procesi i votimit për diasporën nisi rreth një muaj më parë dhe vijon ende me mbërritjen e zarfeve me fletë votimi nga vendet e huaja.
Sipas të dhënave të fundit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri në orën 07:38 të mëngjesit të sotëm janë regjistruar 181,609 zarfe të mbërritura në Shqipëri. Në total janë dërguar 245,935 zarfe me fletë votimi, prej të cilave janë marrë nga votuesit 227,609 zarfe. Ndërkohë, 18,326 zarfe nuk janë tërhequr nga votuesit që ishin regjistruar në Platformën Elektronike të Votimit.
Gjithashtu, KQZ njofton se 2,502 zarfe ndodhen aktualisht në kutinë e posaçme të administrimit të votave.
Shteti me numrin më të madh të kthimeve të fletëve të votimit është Italia me 71,273 zarfe, e ndjekur nga Greqia me 45,560 dhe më pas Gjermania. Sa i përket qarqeve, Tirana mban kryesimin me 40,250 zarfe të mbërritura, pasuar nga Fieri me 24,328 dhe Durrësi me 19,033.
Autoritetet bëjnë të ditur se çdo votë që mbërrin në Shqipëri pas orës 19:00 të mbrëmjes së sotme do të konsiderohet e pavlefshme.
Procesi i administrimit të votave të diasporës po zhvillohet në Pallatin e Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik në Tiranë.