
Zëdhënësi i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar pas votimit të Ilir Metës nga qelia, duke akuzuar autoritetet për censurë dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Sipas Blushit, ishte rënë dakord prej dy ditësh që kreu i Partisë së Lirisë do të votonte sot në orën 10:00, me praninë e mediave.
“Ishte dakordësuar që mediat të lejoheshin të ishin të pranishme në procesin e votimit të Metës,” – deklaron ai.
Por sipas tij, situata ndryshoi në momentin që autoritetet panë Metën të veshur me flamurin kuqezi.
“Sapo patronazhistët njoftuan se Meta doli i veshur kuq e zi nga qelia, operatorët dhe gazetarët nuk u lejuan të hynin. Ky është një rast flagrant i shkeljes së lirive të njeriut. Metës iu mohua e drejta të flasë para gazetarëve,” – shtoi Blushi.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përdor mekanizma kontrolli për të frikësuar dhe censuruar opozitën, duke e cilësuar ndalimin e mediave si një “censurë të rrezikshme” që sipas tij tregon “tmerrin e Ramës nga zëri i shqiptarëve që do të ndëshkojnë me votë.”