
Zëdhënësja për zgjedhjet e Partisë Socialiste, Silda Çepe, ka bërë thirrje për qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke theksuar rëndësinë e këtij procesi për të ardhmen e Shqipërisë.
Në një deklaratë për mediat, Çepe theksoi:
“Sot është një ditë shumë e rëndësishme për të gjithë ne. Ky është një moment që vjen vetëm një herë në katër vjet, një mundësi për të vendosur për të ardhmen e Shqipërisë, të familjeve dhe fëmijëve tanë.”
Ajo shtoi se, përmes votës, qytetarët do të vendosin për rrugën që Shqipëria do të ndjekë.
“Vota juaj në këto zgjedhje është më e rëndësishme se kurrë. Përmes saj ju do të vendosni se në ç’drejtim do të ecë Shqipëria jonë”, tha Çepe.
Ajo i bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që të shfrytëzojnë këtë mundësi historike dhe të mos e lënë të kalojë pa u shprehur për të ardhmen e vendit.
“Shkoni të votoni. Vendosni ju vetë për Shqipërinë që dëshironi për veten, për familjet dhe për fëmijët. 11 maji është dita juaj. Shqipëria ka nevojë për vendimin tuaj”, përfundoi Çepe.