Vendosni fjalën kyçe....

Shpëtim Idrizi voton në Tiranë: 11 maji, ditë ndërgjegjeje kombëtare


Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i cili është garues në listën nr. 1 të koalicionit “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në Qarkun e Tiranës, ka votuar sot në orën 11:00 në çerdhen nr. 54, Njësia Bashkiake nr. 2, së bashku me familjen e tij.

Pas votimit, Idrizi theksoi rëndësinë e kësaj dite, duke e konsideruar 11 majin si më shumë sesa një proces zgjedhor, duke e cilësuar si një “ditë ndërgjegjeje kombëtare”.

“Sot është dita e qytetarëve të zakonshëm, të cilët me votën e tyre dhe vullnetin e lirë përcaktojnë të ardhmen e tyre për katër vitet e ardhshme,” u shpreh ai.

Kreu i PDIU-së theksoi se, pavarësisht mangësive të mundshme, demokracia mbetet mënyra më e mirë për të shprehur vullnetin e qytetarëve. Ai bëri thirrje për një pjesëmarrje masive dhe të qetë në procesin zgjedhor, duke e konsideruar votën si një akt dashurie për vendin.

“Uroj që kjo të jetë një ditë e qetë, paqtë dhe e denjë për çdo shqiptar, një ditë shprese për një vend që ka potencialet dhe njerëzit për t’u bërë një vend i zhvilluar dhe demokratik,” shtoi Idrizi.

“Sot qytetarët kanë pushtetin. Dhe votimi i tyre është mënyra më e mirë për të treguar kujdesin dhe përgjegjësinë ndaj së ardhmes së Shqipërisë,” përfundoi ai.