
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, së bashku me Zonjën e Parë, Armanda Begaj, ka ushtruar sot të drejtën e votës në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Kreu i shtetit e cilësoi këtë proces si një moment kyç për vendin, veçanërisht pasi këto janë zgjedhjet e para që zhvillohen pas nisjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Procesi m’u duk i qetë. Zgjedhjet janë të rëndësishme për qytetarët, për vendin dhe për demokracinë, por sot ka një simbolikë të veçantë pasi zhvillohen pas hapjes së negociatave për anëtarësim në BE,” – u shpreh Presidenti Begaj pas votimit.
Ai theksoi nevojën që zgjedhjet të zhvillohen në përputhje me standardet më të larta dhe u bëri thirrje qytetarëve të votojnë lirshëm, pa presion dhe me vetëdijen se zëri i tyre ka rëndësi.
“Dita e sotme duhet të jetë një festë për demokracinë. Qytetarët duhet të shprehin lirshëm vullnetin e tyre, ndërsa procesi i administrimit dhe numërimit duhet të jetë i drejtë dhe transparent,” – shtoi më tej Presidenti.
Në vijim të deklaratës, Begaj kritikoi gjuhën e përdorur gjatë fushatës zgjedhore, duke bërë thirrje për debat civil dhe përqendrim te platformat dhe idetë.
“Në fushata duhet të ketë ballafaqim idesh dhe ofertash, jo gjuhë bullizuese apo të papranueshme, qoftë nga politikanët apo nga qytetarët,” – përfundoi kreu i shtetit.