
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat e fundit për pjesëmarrjen në zgjedhje, duke raportuar se deri në orën 14:00, qytetarët në qarkun e Vlorës kanë treguar një pjesëmarrje më të ulët.
Në këtë qark, vetëm 21.39% e qytetarëve me të drejtë vote kanë ushtruar të drejtën e tyre për të votuar. Nga të gjitha bashkitë e Vlorës, Finiqi ka shënuar pjesëmarrjen më të ulët, me vetëm 12.32% të qytetarëve që kanë votuar deri në këtë orë.
Një faktor që mund të ketë ndikuar në këtë pjesëmarrje të ulët mund të jetë “Giro d’Italia”, ngjarja e madhe sportive që ka bllokuar disa rrugë kryesore të qytetit bregdetar.
Nga ana tjetër, në qarkun e Tiranës, pjesëmarrja ka qenë më e lartë, me 34.89% të qytetarëve që kanë votuar deri në orën 14:00. Në këtë qark, gjithsej 239,210 votues kanë marrë pjesë në zgjedhje deri tani.
Pjesëmarrje e lartë është vënë re edhe në qarkun e Dibrës, ku deri në orën 14:00, pjesëmarrja arrin në 35.2%.