Vendosni fjalën kyçe....

Dy persona arrestohen në Tiranë për fotografimin e fletëve të votimit gjatë zgjedhjeve


Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona, Hasan Doka, 57 vjeç, dhe Redion Lelo, 28 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke fotografuar fletët e votimit gjatë procesit zgjedhor të ditës së sotme.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, arrestimi i dy shtetasve u realizua nga shërbimet e komisariateve Nr. 3 dhe Nr. 4 pas denoncimeve të kryetarëve të komisioneve të qendrave të votimit përkatëse.

Veprimet e tyre janë cilësuar si shkelje e fshehtësisë së votimit, një vepër penale që ndalohet dhe ndëshkohet sipas ligjit zgjedhor. Materialet procedurale janë dërguar në Prokurori për veprime të mëtejshme hetimore.

Policia e Tiranës ka apeluar për respektimin e rregullave të votimit, duke theksuar se çdo veprim që cënon fshehtësinë dhe integritetin e votës do të ndiqet me seriozitet dhe do të ketë pasoja ligjore.