
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në konferencën e parë për mediat gjatë ditës së zgjedhjeve të 11 majit, bëri një përmbledhje të ecurisë së procesit të votimit në nivel kombëtar, duke theksuar se situata paraqitet përgjithësisht e qetë, megjithë disa problematika të izoluara.
Celibashi njoftoi se në katër qendra votimi në Bashkinë Dropull, për shkak të mungesës së operatorëve të teknologjisë, është kaluar përkohësisht në procedurën e identifikimit manual të votuesve. “Janë disa problematika që lidhen me organizimin, siç është mungesa e operatorëve në Dropull. Megjithatë, votimi po vijon normalisht,” deklaroi ai.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga kreu i KQZ-së ishte prania e kandidatëve për deputetë në afërsi të qendrave të votimit, gjë që bie ndesh me Kodin Zgjedhor. “Kemi pasur raportime nga të dyja krahët politikë për prani të kandidatëve pranë qendrave të votimit. Disa kanë shfaqur dëshirë të vëzhgojnë procesin, pa qenë në dijeni të ndalimit ligjor. Kandidatët nuk mund të jenë vëzhgues gjatë votimit, kjo e drejtë u takon vetëm gjatë procesit të numërimit,” sqaroi Celibashi.
Ai bëri gjithashtu të ditur se është raportuar një rast i vetëm për intimidim ndaj votuesve, i cili po verifikohet nga autoritetet përkatëse.
Në përmbyllje, Celibashi u bëri thirrje të gjitha forcave politike dhe aktorëve të përfshirë që të respektojnë rregullat ligjore për të garantuar një proces të rregullt, transparent dhe të besueshëm.