
Strukturat e drejtësisë dhe hetimit, përfshirë SPAK dhe BKH, zhvilluan një vizitë pune në Elbasan këtë të shtunë, ku u takuan me drejtuesit lokalë të prokurorisë dhe policisë për të diskutuar masat ndaj krimeve zgjedhore për zgjedhjet e 11 majit.
Në fokus ishin denoncimet për blerje votash, presion ndaj votuesve dhe përdorim të burimeve shtetërore për fushatë. SPAK kërkoi angazhim maksimal për monitorim në terren, veçanërisht në zonat e ndjeshme, si dhe garantoi trajtim të shpejtë dhe të paanshëm për çdo indicie apo kallëzim.
U theksua rëndësia e mbrojtjes së denoncuesve dhe krijimi i një klime besimi. Elbasani mbetet nën vëzhgim të veçantë për shkak të historikut problematik zgjedhor, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar zero tolerancë ndaj çdo shkeljeje ligjore.