Vendosni fjalën kyçe....

SHBA ofron ndërmjetësim mes Indisë dhe Pakistanit për uljen e tensioneve


Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, ka ofruar ndërmjetësimin amerikan për të ulur tensionet mes Indisë dhe Pakistanit, në një kohë kur marrëdhëniet mes dy vendeve po përshkallëzohen.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, Rubio ka zhvilluar telefonata të ndara me Ministrin e Jashtëm të Indisë, Subrahmanyam Jaishankar, dhe Zëvendëskryeministrin njëherësh Ministër i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar. Gjatë bisedimeve, ai theksoi nevojën që palët të gjejnë mënyra për të ulur tensionet dhe të rivendosin komunikimin e drejtpërdrejtë për të shmangur keqkuptimet që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm.

Rubio ka folur gjithashtu edhe me shefin e ushtrisë së Pakistanit, gjeneralin Asim Munir, ku ka përsëritur thirrjen për dialog dhe shmangie të konflikteve.

Në deklaratën zyrtare theksohet se kjo është hera e parë që SHBA ofron zyrtarisht ndihmën e saj për ndërmjetësim në tensionet mes Indisë dhe Pakistanit, me synimin për të shmangur çdo përplasje të mundshme në të ardhmen./CNN