
Ndërsa aleatët evropianë të Ukrainës u mblodhën në Kiev, Rusia këtë javë mirëpriti udhëheqës nga mbarë bota për përkujtimet e Ditës së Fitores. Rusia deklaroi se 27 liderë botërorë morën pjesë në paradën e djeshme në Sheshin e Kuq, por ishte prania e presidentit kinez Xi Jinping ajo që ra më shumë në sy.
Televizioni shtetëror rus e përshkroi marrëdhënien mes Rusisë dhe Kinës si në nivelin më të lartë ndonjëherë, të bashkuar kundër asaj që quhet “Perëndimi kolektiv”. Presidenti Putin dhe Xi zhvilluan dy raunde bisedimesh përpara paradës, si dhe një bisedë informale për luftën në Ukrainë, sipas raporteve kineze.
Në mesin e pjesëmarrësve ishin edhe presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva, presidenti venezuelian Nicolás Maduro dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç. Kryeministri sllovak Robert Fico ishte i vetmi lider nga një vend anëtar i Bashkimit Evropian që mori pjesë në këtë ngjarje.
“Gjithçka më shkon në mendje te ukrainasit,” tha presidenti francez Emmanuel Macron sapo mbërriti në Kiev. Në një postim në X, ai vlerësoi ukrainasit jo vetëm për luftën për vendin e tyre, por edhe për mbrojtjen e Evropës. “Përballë agresionit rus, përgjigjja jonë duhet të jetë kolektive,” u shpreh ai, duke shpjeguar se për këtë arsye po e ndërmerr këtë udhëtim së bashku me liderët e Gjermanisë, Polonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.Macron ndau tre mesazhe kryesore, “Së pari, paqja – një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme duhet të fillojë me një armëpushim të plotë dhe pa kushte.”
“Së dyti, marrëveshja e paqes që do të ndërtohet duhet të garantojë sigurinë e Ukrainës.”
“Së fundi, e ardhmja – një Ukrainë e fortë, e begatë dhe evropiane: ky është vizioni ynë.”
“Historia po na vëzhgon,” përfundoi ai.

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka mbërritur në Kiev. Në një postim në platformën X, ai shkruan: “Kiev. Na pret një ditë e rëndësishme.” Në Sheshin e Pavarësisë në kryeqytetin ukrainas, ai u prit nga presidenti Volodymyr Zelensky.

Sot shënon ditën e fundit të armëpushimit tre-ditor të shpallur njëanshmërisht nga Rusia, i cili pritet të përfundojë në mesnatë, sipas orës së Moskës. Ambasada amerikane në Kiev ka lëshuar paralajmërime për rrezik të shtuar nga sulmet ajrore në ditët në vijim. Edhe pse ka pasur një pauzë të përkohshme në bombardimet e përnatshme me dronë dhe raketa në qytetet ukrainase, luftimet në vijën e frontit nuk janë ndalur.
Britania, Franca, Gjermania dhe Polonia po i kërkojnë Rusisë të pranojë propozimin e Shteteve të Bashkuara për një armëpushim 30-ditor. Megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se përpara çdo armëpushimi, Perëndimi duhet të ndalojë furnizimin me armë të Ukrainës një kërkesë që, sipas kritikëve, do ta linte vendin të pambrojtur ndaj avancimeve të mëtejshme ruse në territoret e tij.
Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar përpara mbërritjes së tyre në Kiev, Keir Starmer, Emmanuel Macron, Friedrich Merz dhe Donald Tusk u shprehën se do të “qëndrojnë në Kiev në shenjë solidariteti me Ukrainën”. Deklarata thekson se ata do të kërkojnë një armëpushim të plotë dhe pa kushte për një periudhë 30-ditore, siç është propozuar fillimisht nga Shtetet e Bashkuara në muajin mars — një hap që, sipas tyre, do të mundësonte fillimin e negociatave për një paqe të qëndrueshme.
“Ne jemi të gatshëm të mbështesim procesin e paqes sa më shpejt që të jetë e mundur, të diskutojmë aspektet teknike të zbatimit të armëpushimit dhe të përgatitemi për një marrëveshje të plotë paqeje,” deklaruan udhëheqësit. Ata shtuan se do të “rrisin presionin” mbi Rusinë derisa ajo të pranojë një armëpushim të qëndrueshëm.

Më vonë gjatë ditës, është planifikuar që ata të zhvillojnë një takim virtual me udhëheqës të tjerë botërorë, ku do të raportojnë mbi përparimin e bërë drejt krijimit të një “forcë ndërkombëtare sigurie” një nismë që, sipas zyrës së kryeministrit britanik (Numri 10), synon të “rigjallërojë” forcat e armatosura të Ukrainës pas një marrëveshjeje të mundshme paqeje./BBC