
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deklaroi sot në emisionin “Kjo Javë” në News24 se deri në 15 mijë votues shqiptarë që jetojnë jashtë vendit nuk do të mund të marrin fletët e votimit për zgjedhjet, kryesisht për shkak të problemeve me adresat.
“Sipas të dhënave nga DHL, 11 mijë nga këta kanë dhënë adresa, numra telefoni ose email-e të pasakta, çka ka bërë të pamundur dorëzimin e zarfeve. Por ky është një numër i papërfillshëm dhe nuk cënon integritetin e procesit,” tha Celibashi.
I pyetur për raportimet mbi mbledhjen e fletëve të votimit nga persona të caktuar, përfshirë një rast të dyshuar në ambasadën shqiptare në Romë, ai theksoi se janë raste të izoluara dhe se procesi në tërësi po ecën mirë. Deri tani, sipas tij, 65% e votave janë kthyer dhe janë dorëzuar në KQZ pa kontestime.
Celibashi garantoi transparencë maksimale gjatë gjithë procesit të votimit nga jashtë vendit, duke theksuar se çdo hap është zhvilluar nën mbikëqyrjen e partive politike, shoqërisë civile dhe mediave, në ambiente të monitoruara 24 orë në Parkun Olimpik në Tiranë.
Për rastet kur zarfi B mungon ose është dëmtuar, Celibashi tha se do të bëhet një vlerësim individual gjatë numërimit. Nëse ruhet fshehtësia e votës, ato do të konsiderohen të vlefshme; përndryshe, do të skualifikohen.
Sa i përket publikimit të votës në rrjetet sociale, kreu i KQZ-së tha se janë raste sporadike që nuk janë përsëritur më pasi janë evidentuar dhe denoncuar.