
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar një mesazh me rastin e Ditës së Evropës, dy ditë para zgjedhjeve të 11 majit, ku e lidh simbolikisht këtë përvjetor me nevojën për një ndryshim politik në Shqipëri dhe rikthimin në rrugën e integrimit europian.
Në mesazhin e shpërndarë në rrjetet sociale, Berisha thekson se 9 Maji, Dita e Evropës dhe njëherazi 75-vjetori i “Deklaratës së Schuman”, duhet të përfaqësojë për shqiptarët jo vetëm një kujtesë historike, por një ogur për kthimin në rrugën e anëtarësimit në BE – një rrugë që sipas tij është braktisur për 12 vite nga qeveria aktuale.
“Shqiptarët janë ndër popujt që më shumë se kushdo tjetër kanë lidhur ëndrrat e tyre me Evropën. E megjithatë, edhe sot mbetemi jashtë dyerve të saj”, shkruan Berisha, duke përmendur arritjet e Partisë Demokratike në këtë drejtim, si liberalizimi i vizave dhe aplikimi për statusin kandidat.
Ai akuzon kryeministrin Edi Rama për ngadalësimin dhe pengimin e procesit të integrimit, duke përmendur mocionin e parlamentit holandez për rikthimin e vizave si dhe përkeqësimin e imazhit ndërkombëtar të vendit.
Sipas tij, edhe hapja e negociatave për kapitujt e BE-së nuk është meritë e qeverisë, por rezultat i ndryshimeve në qasjen e Brukselit.
“Nuk ka vend në BE për një narkodiktaturë. Shqiptarët nuk iu drejtuan Evropës për të eksportuar krim,” shkruan ai.
Berisha premton se pas 11 majit, Partia Demokratike do të rikthejë besimin në projektin europian dhe do të çojë përpara reformat për integrimin e vendit në BE.
Në fund të mesazhit, Berisha i bën thirrje qytetarëve që të besojnë në “Shqipërinë evropiane”, një vend ku mësuesit dhe mjekët paguhen me dinjitet, të rinjtë studiojnë me standarde perëndimore dhe ekonomia zhvillohet në partneritet me vendet e BE-së.
“Pas 11 majit, Shqipëria do të jetë ajo e premtuar: një Shqipëri madhështore, pjesë dinjitoze e familjes europiane,” përmbyll ai mesazhin.
Mesazhi i plotë:
Të dashur miq, sot 9 Maj, dita kur Evropa feston paqen dhe unitetin, datë e cila shënjon përvjetorin e “Deklaratës së Schuman” propozimi historik i bërë nga Ministri i Jashtëm francez Robert Schuman në vitin 1950, i cili hodhi themelet e bashkëpunimit evropian.
Për Bashkimin Evropian ky 9 Maj ka veçantinë e të qenurit 75 vjetori i ideve vizionare të themelimit të tij, për ne shqiptarët s‘mund të jetë më pak se sa ogur i trokitjes së ndryshimit 48 orë përpara se vendi ynë të rimarrë në duar atë çka për 12 vite u pluhuros, rrugëtimin evropian.
Vështirë se gjendet komb i dytë ende jashtë dyerve të familjes evropiane që ka lidhur ëndrrat e tij me Evropën e bashkuar më shumë se Shqipëria dhe shqiptarët. Dalë thuajse nga paradhoma e vdekjes shoqërore të diktaturës më të egër në gjirin e kontinentit, shqiptarët e deshën Shqipërinë si gjithë Evropa kur për Evropën dinin veç në letra, veç në dëshira, fshehtazi e nën frikë.
Partia Demokratike pati guximin dhe fatin historik t’i printe vendit qysh në fillesat e shtetit të parë demokratik shqiptar, fillimisht me reforma e më pas me institucionalizimin e hapave për anëtarësimin e saj. Kurrë një forcë politike e dytë nuk ka të lënë si gjurmë të pamohueshme në trashëgiminë e saj hapa e arritje drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE më shumë se Partia Demokratike. Nën udhëheqjen e saj, shqiptarët shpresuan, besuan dhe përjetuan marrëveshjen simbol të rrugës së anëtarësimit, lëvizjen e lirë dhe pa viza n Evropë dhe zonën Schengen, reforma të thella ekonomike, ligjore, politike për përafrimin me standardet evropiane, deri në aplikimin për marrjen e statusit kandidat, status të cilin shqiptarët e gëzuan pak pasi demokratët lanë pushtetin.
Por, si një perde e hekurt që ndan dy kohë, ardhja në pushtet e Rilindjes ngriu çdo hap, çdo progres, çdo zhvillim të mëtejshëm të procesit të integrimit. Shqipëria që kërkoi për vite me radhë të ulej denjësisht si e barabartë në tryezat e BE-së, u tjetërsua në arenën evropiane në imazh, status dhe prestigj. Vendi ynë u njoh në këto 12 vite jo më shumë se sa për cirkun trasgresiv të kryeministrit pa asnjë përgjegjësi për kombin që udhëhiqte, pa ndjerë më të voglën përgjegjësi shtetërore kur në vitin 2019, dhoma e dytë e përfaqësuesve në parlamentin e Hollandës votoi në shumicë pro mocionit për të rikthyer vizat për qytetarët e Shqipërisë pas shqetësimeve të aktiviteteve kriminale, apo kur në vitin 2021, Ministria e Jashtme e Hollandës, me anë të Përfaqësuesit të saj të përhershëm në BE, i kërkoi Komisionit Europian rikthimin e regjimit të vizave për Shqipërinë. I vetmi lajm nga BE gjatë tri mandateve të qeverisjes, i ofruar si progres në ecurinë e procesit të antarësimit në BE ishte hapja e negociatave për 33 kapitujt e acquis. E vërteta është se ky hap erdhi në fakt si rezultat i reformimit të procesit të anëtarësimit për vendet kandidate për në BE dhe asesi si shpërblim për një shtet që çdo vit rrokulliset në indekset ndërkombëtare të demokracisë dhe lirisë.
Pjesë e BE-së nuk mund të jetë kurrë një narkodiktaturë, Shqipëria nuk iu ofrua Bashkimit Evropian si e tillë, shqiptarët nuk iu ofruan Evropës si qytetarë të një vendi që mbjell krim.
Ndaj ky 75 vjetor i BE-së miqtë e mi, do të mbahet mend edhe për ne shqiptarët si viti kur rrugëtimi drejt BE-së u rimor në duar nga demokratët, për të përmbushur zotimin e tyre, një Shqipëri europiane që meriton të jetë pjesë e Bashkimit Evropian si e tillë. Premtimet mbahen, zotimet përmbushen, ëndrrat çohen deri në fund. Shqipëria evropiane do të jetë ajo e atdheut të shqiptarëve, e mësuesve dhe mjekëve që paguhen jo më pak se kolegët e tyre në perëndim, e të rinjve dhe të rejave që studiojnë me standardet e bashkëmoshatarëve të tyre, e investitorëve shqiptarë dhe të huaj, ajo që me vendet e tjera evropiane shkëmben ekonomi dhe jo krim.
Kjo do të jetë Shqipëria e pas 11 Majit, Shqipëria madhështore, e denjë për të qenë pjesë e familjes së madhe europiane.