Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Akuzat e Ballukut për prishjen e zgjedhjeve janë mashtrim, e diela do të jetë dita e largimit të së keqes


Gazment Bardhi ka quajtur mashtrime akuzat e zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila pretendon se Partia Demokratike në Fier ka dhënë urdhër për prishjen e procesit zgjedhor.

Bardhi ka theksuar se “nuk ekziston asnjë urdhër, asnjë porosi, asnjë orientim për prishje të procesit zgjedhor në qarkun e Fierit nga Partia Demokratike.” Sipas tij, deklaratat e Ballukut përfaqësojnë një mashtrim dhe janë një shprehje e frikës së pushtetit nga populli. Ai e cilësoi këtë veprim si një tentativë për të shpërqendruar vëmendjen nga dështimet e pushtetit aktual.

“Mashtrimi i Belinda Ballukut, përmes zëdhënëses së organizatës kriminale ‘Hakmarrja për Drejtësi’, përfaqëson frikën e pushtetit nga populli,” – tha Bardhi, duke shtuar se komisionerët e PD-së do të jenë garantë të ligjit dhe vullnetit të qytetarëve.

Ai gjithashtu theksoi se dita e diel do të jetë një ditë feste dhe e qetë, duke siguruar se votimi do të zhvillohet normalisht, nga ora 07:00 deri në 19:00 në çdo qendër votimi.

E diela është dita largimit me votë të së keqes, e përfaqësuar nga korrupsioni, arroganca dhe krimi i Belinda Ballukut dhe Edi Ramës!” – përfundoi Bardhi.