Vendosni fjalën kyçe....

Agron Shehaj mbyll fushatën: Koha për ndryshim është tani, Shqipëria ka një mundësi historike


Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka mbyllur fushatën elektorale me një thirrje të fortë për ndryshim dhe ndarje me të kaluarën politike.

Nga Pallati i Kongreseve, ai u drejtua qytetarëve shqiptarë dy ditë para zgjedhjeve të 11 majit, duke e quajtur këtë moment “një mundësi historike” për të ndërtuar një të ardhme ndryshe për vendin.

“Në këto 35 vite kemi jetuar në një duopol që ka zgjatur shumë. Politikanët e dy partive të vjetra mendojnë vetëm për veten e tyre, jo për qytetarët,” – tha Shehaj, duke nënvizuar se Partia Mundësia u krijua për të ofruar një alternativë reale, jo thjesht një rotacion mes të njëjtëve aktorë politikë.

Ai theksoi se shqiptarët kanë nevojë për një shtet që nuk i mbyt me taksa dhe burokraci, por që i lejon të punojnë dhe të ndërtojnë jetën me dinjitet.

“Duhet të heqim shtetin nga kurrizi i qytetarëve dhe të përqendrojmë energjitë për të ndërtuar të ardhmen, jo për të vazhduar betejat e së kaluarës,” – shtoi ai.

Shehaj tha se energjia dhe besimi i qytetarëve gjatë fushatës tregojnë se në vend po ndodh një ndryshim i madh.

Ai kujtoi rrugëtimin njëvjeçar të Partisë Mundësia, duke thënë se përballë tyre janë vënë të gjithë ata që kanë interes që gjërat të mos ndryshojnë.

“Na kanë sulmuar në televizione, debate, rrjete sociale dhe në gjykata. Kanë thënë që jemi të dobët, që nuk do mbrojmë dot votat tona. Por ata kanë frikë nga ajo që po ndodh, nga potenciali dhe besimi i njerëzve,” – tha Shehaj.

Ai përmbylli fjalën duke theksuar: “Koha për ndryshim është tani. Në fletën e votimit më 11 maj, Partia Mundësia është me numrin 10.”