
Kryeministri Edi Rama ka drejtuar një thirrje të drejtpërdrejtë për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Ai i ka nxitur të mos e lënë për në minutën e fundit dërgimin e zarfit me votën, duke kujtuar se kanë mbetur vetëm 48 orë për ta dorëzuar në pikat postare të DHL-së.
Kryeministri e cilësoi 11 Majin si një ditë vendimtare për vendin, duke e përshkruar si një “takim me historinë” dhe një moment kyç për të dhënë një fuqi të re Shqipërisë në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian.
“Ditë fantastike në zonën e Vlorës, e jashtëzakonshme, një diell i bukur, dritë e bukur dhe zakonisht nuk kam nevojë për syze brenda në makinë, por është një dritë e bukur, por e fortë.
Ndërkohë që do të desha të rindërhyj për t’ju dhënë një mesazh shqiptarëve të regjistruar në zgjedhjet e 11 Majit dhe që janë në Greqi, që s’kanë dorëzuar zarfet, ju lutem zarfet dorëzojini në pikat përkatëse të postës së DHL.
Mos prisni, dorëzojini, mos i lini për moment të fundit, ka akoma edhe pak kohë, janë 48 orë, bëjeni edhe këtë mund të fundit. Sepse 11 Maji është takim me historinë, si edhe moment zgjedhje për ti dhënë një fuqi të re Shqipërisë në negociatat me BE”. tha Rama.