
Me urdhër të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, janë zhvilluar sot kontrolle në qytetin e Shkodrës, në Bushat dhe Vau i Dejës, në kuadër të një hetimi mbi krimet zgjedhore. Objekt i këtij operacioni ishin gjashtë shtetas dhe nëntë automjete të tyre.
Gjatë kontrolleve, Policia e Shtetit bëri me dije se janë sekuestruar para në euro dhe lekë, tollona karburanti, telefona celularë, dokumente të ndryshme si dhe lista me emra qytetarësh. Autoritetet deklaruan se hetimet janë në vijim dhe synojnë zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie të dyshuar kriminale që lidhet me procesin elektoral.
Në lidhje me këtë zhvillim, ka reaguar Partia Social-Demokrate (PSD), duke e cilësuar gjithë situatën si një përpjekje për dizinformim publik.
“Lidhur me disa lajme të bëra publike për përfshirjen e anëtarëve të PSD-së në veprimtari të paligjshme zgjedhore në veriun e vendit, i përgënjeshtrojmë me forcë. Bëhet fjalë për dizinformim dashakeq,” thuhet në reagimin zyrtar të partisë.
PSD thekson se asnjë nga anëtarët e saj nuk është objekt i hetimeve dhe nuk ka pasur asnjë ndërhyrje të policisë apo të BKH-së në ambientet e saj elektorale.
“Këto janë shpifje monstruoze dhe spekulime të qëllimshme për të dëmtuar imazhin e PSD-së. Ne e mbështesim në mënyrë të padiskutueshme punën e SPAK,” përfundon deklarata.