Vendosni fjalën kyçe....

Marrëveshja mes Trump dhe Starmer, SHBA heq tarifat për çelikun dhe aluminin britanik, ul ndjeshëm edhe tarifat për makinat


Në një marrëveshje të papritur por historike, presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri britanik Keir Starmer kanë njoftuar heqjen e tarifave të larta për eksportet e çelikut dhe aluminit nga Britania drejt SHBA-së si dhe një ulje të ndjeshme të tarifës për automjetet

Sipas marrëveshjes së shpallur drejtpërdrejt nga Shtëpia e Bardhë, tarifa 25 për qind për çelikun dhe aluminin britanik është hequr menjëherë, ndërsa tarifa për makinat britanike ulet nga 27.5 për qind në 10 për qind, por vetëm për 100 mijë automjete në vit, një kufi që Britania e kaloi lehtësisht vitin e kaluar me 101 mijë makina të eksportuara, sipas BBC.

Në këmbim, qeveria britanike pranoi heqjen e tarifave për etanolin amerikan dhe hapi tregun për mishin e viçit amerikan në bazë reciproke.

Kryeministri Starmer, që iu bashkua konferencës në Shtëpinë e Bardhë përmes telefonit, e cilësoi ditën si një moment fantastik dhe historik për marrëdhëniet tregtare SHBA–MB.

Për presidentin Trump, kjo është një fitore politike e shumëkërkuar, sidomos pas kritikave për politikat e tij të ashpra tarifore ndaj aleatëve.

Korrespondentët nga Shtëpia e Bardhë raportojnë se ai foli me ton triumfues, duke përmendur “Ditën e Çlirimit” që shpalli muajin e kaluar kur njoftoi tarifat universale 20 për qind

Megjithatë, marrëveshja nuk është pritur me entuziazëm nga të gjithë. Udhëheqësja konservatore Kemi Badenoch e kritikoi atë si një shitje të interesave britanike, duke deklaruar se Britania u mashtrua

Ndërsa marrëveshja përfaqëson një përmirësim të dukshëm për sektorët e çelikut dhe makinave në Britani, shumica e mallrave të tjerë britanikë që eksportohen në SHBA do të vazhdojnë të përballen me tarifën e re 10 për qind të vendosur nga Trump muajin e kaluar