
Gjatë një vizite zyrtare në qytetin bregdetar të Vlorës, Kryeministri Edi Rama prezantoi një sërë projektesh të reja që synojnë të transformojnë ekonominë dhe infrastrukturën e zonës. Në qendër të këtyre zhvillimeve është Aeroporti i ri i Vlorës, një nga investimet më të rëndësishme të viteve të fundit në transportin ajror të vendit.
Sipas Ramës, aeroporti do të sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë në punësim dhe zhvillim ekonomik. “Në Aeroportin e Vlorës do të punësohen mbi 1000 persona, kryesisht të rinj dhe të reja,” u shpreh ai. “Nuk do të jetë thjesht një aeroport pasagjerësh, por një nyje moderne që do të përfshijë edhe fluturime të ngarkesave, për të çuar dhe sjellë mallra e pako të të gjitha përmasave, siç ndodh në të gjithë botën.”
Rama bëri të ditur se punimet në aeroport janë drejt përfundimit dhe fluturimet pritet të nisin së shpejti. “Shumë shpejt do të fillojnë fluturimet në Aeroportin e Vlorës. Ky është një investim që do ta vendosë Vlorën në hartën e rëndësishme të transportit ajror në rajon,” shtoi ai.
Një tjetër element i rëndësishëm që pritet të shtojë vlerë në këtë projekt është ndërtimi i një qendre për riparimin dhe mirëmbajtjen e avionëve të kompanive më të mëdha europiane. Po ashtu, në ambientet e aeroportit do të ngrihet një bazë për formimin profesional të kuadrove të aviacionit civil.
“Këtu do të jetë baza për aviacionin civil, që do të formojë brezat e ardhshëm të profesionistëve në këtë fushë. Kjo do të thotë arsimim dhe punësim cilësor në vend,” theksoi kryeministri.
Në kuadër të planeve për zhvillimin e infrastrukturës detare, Rama njoftoi se Triporti i Vlorës do të kthehet në një port të rëndësishëm për tregtinë dhe peshkimin.
“Triporti do të jetë një port serioz për anijet që sjellin dhe marrin mallra, si dhe për anijet e peshkimit. Ky është një tjetër hap përpara drejt forcimit të ekonomisë lokale,” deklaroi ai.
Po ashtu, një vëmendje e veçantë i është kushtuar turizmit elitar, përmes projektit për ndërtimin e një prej porteve më të bukura të jahteve në Mesdhe. Sipas Ramës, ky investim pritet të tërheqë vizitorë dhe investitorë nga e gjithë bota.
“Vlora do të ketë ndër portet më të bukura të jahteve në Mesdhe. Kjo është pjesë e vizionit tonë për të bërë bregdetin shqiptar një destinacion të klasit të parë turistik,” tha ai.
Në fund të vizitës, Kryeministri nënvizoi se qyteti i Vlorës po përjeton një bum të vërtetë ndërtimesh dhe investimesh në sektorin e hotelerisë.
“Hotelet e reja kanë filluar të ngrihen dhe shumë shpejt në Vlorë do të vijnë firmat më prestigjioze të hotelerisë botërore. Bregdeti i Vlorës do të bëhet ndër destinacionet më të kërkuara në Mesdhe,” përfundoi ai.