
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me bashkëpunimin me strategun elektoral amerikan Chris LaCivita, duke theksuar se kontrata me të është plotësisht transparente dhe do të depozitohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, sipas detyrimeve ligjore.
Gjatë një konference për mediat, Berisha tha se marrëveshja me LaCivita nuk lidhet aspak me lobimin, por me konsulencën elektorale, dhe se çdo transaksion financiar do të jetë i dokumentuar dhe i regjistruar zyrtarisht.
“Partia Demokratike ka një kontratë me Chris LaCivita, absolutisht jo për lobim. Për këtë të jeni 100% të sigurt. Është kontratë për konsulencë elektorale dhe këto janë të ndryshme në ligjin amerikan,” deklaroi Berisha.
Ai shtoi më tej se kjo kontratë ka tërhequr vëmendjen edhe të analistëve ndërkombëtarë, por theksoi se LaCivita nuk ka asnjë lidhje me asnjë çështje tjetër përveç rolit të tij si konsulent.
“LaCivita do të paguhet për konsulencë elektorale. Çdo pagesë, çdo transaksion do të depozitohet në kohën e duhur në KQZ, siç e kërkon ligji. LaCivita është personaliteti më i shquar në domenin elektoral që ka shkelur ndonjëherë në Shqipëri,” u shpreh ai.
Berisha e cilësoi angazhimin e konsulentëve ndërkombëtarë si një praktikë normale në fushatat moderne dhe theksoi se gjithçka do të bëhet në mënyrë të rregullt dhe të kontrollueshme nga institucionet.