Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-Kinë drejt uljes së tensioneve tregtare, zyrtarët e SHBA dhe Kinës takohen këtë javë


Zyrtarët më të lartë tregtarë të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, pritet të takohen këtë javë me homologët e tyre kinezë në përpjekje për të zbutur tensionet e një lufte tregtare që është bërë gjithnjë e më e ashpër dhe e dëmshme. E ardhmja e ekonomisë globale mund të varet nga suksesi i këtyre bisedimeve.

Ky takim, i pari ballë për ballë mes delegacioneve pas përshkallëzimit të tarifave në muajin mars, vlerësohet si një hap i rëndësishëm, edhe pse Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se nuk pritet ndonjë marrëveshje e menjëhershme. Megjithatë, tarifat e larta tashmë kanë ndikuar ndjeshëm në shkëmbimet tregtare mes dy vendeve.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tarifa prej të paktën 145% për shumicën e importeve kineze, ndërsa Kina është përgjigjur me tarifa deri në 125% për mallrat amerikane. Tani që anijet e fundit pa tarifa kanë mbërritur në porte, pritet që ndikimi i plotë i këtyre tarifave të ndihet së shpejti, duke i detyruar bizneset të zgjedhin mes pagesës së një kostoje të dyfishtë ose ndërprerjes së importit.

Kjo nënkupton se konsumatorët në të dyja vendet mund të përballen me rritje çmimesh dhe mungesë produktesh në javët e ardhshme.

Ndikimi negativ i tarifave është tashmë i dukshëm: ekonomia amerikane pësoi një rënie të papritur në tremujorin e parë – tkurrja e saj e parë në tre vite – ndërsa kompanitë nxituan të grumbullojnë mallra përpara tarifave të reja. Në të njëjtën kohë, prodhimi industrial në Kinë ka rënë me ritmin më të shpejtë në 16 muaj, çka e ka shtyrë qeverinë kineze të përgatitet për ndërhyrje stimuluese në ekonomi.

Edhe pse përplasja SHBA-Kinë është më e ashpra, administrata Trump ka vendosur tarifa të larta edhe ndaj vendeve të tjera, përfshirë një tarifë universale prej 10% për pjesën më të madhe të importeve, dhe tarifa shtesë prej 25% për çelikun, aluminin, automobilat dhe mallra të tjera nga Meksika dhe Kanadaja.

Për këtë arsye, bota po i ndjek këto bisedime me vëmendje të madhe, duke shpresuar për një kthesë drejt stabilitetit ekonomik global./CNN