Një ish-komisionere e PS-së në zgjedhjet e shkuara është përgjegjëse për administrimin e votës së diasporës, ndërkohë që bashkëshorti i saj ka bërë platformën “Aktivisti”.
I pyetur nga gazetari Flavio Qarri në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri Tv, kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi, fillimisht pohoi se personi që është caktuar për të administruar votën e diasporës, jo vetëm që nuk është patronazhist i PS-së, por madje as nuk mund të shfaqë publikisht përkatësinë e tij politike.
Pas deklaratës së prerë të Celibashit, gazetari i tregoi një dokument që kishte në celularin e tij Celibashit, duke i thënë se zonja në fjalë ka qenë komisionere e PS-së në zgjedhet e shkuara ndërsa bashkëshorti i saj ka bërë platformën “Aktivisti”, një aplikacion i PS-së për aktivistët e saj (sipas pretendimeve të PS-së) me një databazë të gjerë të dhënash.
I vënë përpara këtij fakti, Celibashi tha se nuk kishte asnjë rëndësi se çfarë ka bërë zonja në fjalë dikur, por çfarë bën tani ndërsa i quajti spekulime deklaratat e gazetarit. Celibashi dha gjithashtu garanci se zonja që administron votën e diasporës është rekrutuar nga KQZ-ja dhe nuk e kishte marrë vendin e punës me rekomandim nga PS-ja.
Pjesë nga bashkëbisedimi Qarri-Celibashi
Qarri: Si quhet personi që ju keni ngarkuar, ose KQZ-ja ka ngarkuar për të qenë drejtor i administrimit të votimeve nga jashtë?
Celibashi: Çfarë rëndësie ka. Është një XY.
Qarri: Është një zonjë.
Celibashi: Po
Qarri: A është kjo zonjë e atashuar politikisht aponë administratë?
Celibashi: Zero
Qarri: Çfarë nënkuptoni me zero?
Celibashi: Zero sepse, dhe nuk e di nga vjen kjo pyetje por nuk ka asnjë rëndësi, sepse jeni i lirë të pyesni për kë të doni dhe çfarë të doni. Nuk ka në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, patronazhist jo e jo, por nuk ka dhe nuk merr guximin askush që të demonstrojë se çfarë përfaqëson dhe aq më shumë akoma të angazhohet në mbështetje të X apo Y.
Qarri: Rikthehemi pak te personi që udhëheq këtë. Ju thoni që është zero mundësia. Nëse unë iu jap prova, mund t’ua jap tani publikisht nëse doni, mund t’ua jap privatisht, çfarë do bëni me këtë person?
Celibashi: Jepi provat, s’kam asnjë hezitim.
Qarri: E kam ruajtur si dokument këtë.
Celibashi: Po, po është. Ka qenë. Kam qenë ministër i qeverisë Rama, më shumë se kaq.
Qarri: Po ju më thatë zero. Tani doli që ka qenë komisionere e PS-së.
Celibashi: Po e di sa ka aty që kanë qenë komisionerë të PS-së, të PD-së, PR-së?
Qarri: Sa ka nuk e dimë, më thatë zero. Tani nga zero u bë një.
Celibashi: Jo, jo.
Qarri: Nëse bashkëshorti iv et ka bërë platformën Aktivisti bëhen 1 apo 2?
Celibashi: Jo, s’është e vërtetë, ky është spekulim.
Qarri: Aktivisti vijon të jetë platformë aktive.
Celibashi: Pse, je duke spekuluar. Ju pyetët çfarë bën dhe thashë zero. Se çfarë ka bërë, ka ërë 10 , 20, 30.
Qarri: Ka aq shumë komisionerë PS-ja sa që nuk gjetët dikë që është i barazlarguar.
Celibashi: Atë nuk e ka sjellë në punë PS-ja, atë e ka rekrutuar KQZ-ja dhenuk ka ardhur aty me rekomandim të PS-së. Është spekulim i atyre që kanë nxjerrë këtë, për arsye të ndryshme.
Qarri: E ka harruar zonja që ka qenë komisionere e PS-së, ka noj distancim shpirtëror, është nga ato që është mërzit nga Rama, çfarë garancie më jepni ju mua.
Celibashi: Ja çfarë garancie shikon ti që kam qenë ministër i Ramës.
Qarri: S’shoh asnjë garanci
Celibashi: Jemi në rregull atëherë, mos shiko asnjë garanci edhe për atë.
