Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Zero taksa për të rinjtë që duan ta ndërtojnë jetën këtu


Gjatë një takimi elektoral në Korçë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prezantoi programin e tij për të rinjtë, duke premtuar mbështetje konkrete financiare për studentët dhe çiftet e reja. Ai u zotua se do të krijohet një fond 5 milionë euro për të financuar projektet dhe idetë e biznesit të të rinjve, si dhe 30 mijë euro grante për çdo çift të ri për mbulimin e interesave të kredisë për banesë.

“Talenti dhe ëndrrat janë mrekullia më e madhe e të rinjve,” deklaroi Berisha. Ai shtoi se nëse nuk fokusohemi seriozisht tek të rinjtë, përpjekjet politike janë të kota. Berisha kritikoi ashpër politikën e kryeministrit Rama për largimin masiv të të rinjve jashtë vendit, duke e cilësuar këtë situatë si një dramë që duhet të marrë fund më 11 maj.

Sipas tij, një qeveri e drejtuar nga opozita do të ofrojë zero taksa për 5 vite dhe kredi të buta për të rinjtë që duan të ndërtojnë jetën në Shqipëri. “Do të bëjmë gjithçka që ëndrrat e tyre të ndërtohen këtu,” u shpreh ai, duke e quajtur 11 majin një ditë që do të arkivojë një “ëndërr të keqe” dhe do të hapë një epokë të re për vendin.