
Dronët ukrainas kanë goditur Moskën për të dytën natë me radhë, sipas autoriteteve lokale, teksa kryeqyteti rus po përgatitet për paradën e madhe ushtarake të 9 majit, ku pritet të marrin pjesë liderë botërorë, përfshirë presidentin kinez, Xi Jinping.
Kryebashkiaku i Moskës, Sergey Sobyanin, njoftoi në Telegram se të paktën 19 dronë ukrainas u shkatërruan gjatë natës, ndërsa një natë më parë mbrojtja ajrore rrëzoi edhe katër të tjerë. Nuk ka pasur njoftime për dëme të mëdha ose viktima, por mbeturinat e dronëve të rrëzuar kanë rënë në një autostradë të rëndësishme të qytetit. Për shkak të sulmeve, u pezulluan përkohësisht edhe fluturimet në katër aeroporte të Moskës, si masë sigurie.
Sulmi vjen pak para vizitës shtetërore tre-ditore të Xi Jinping në Rusi, i cili do të marrë pjesë në ceremonitë e Ditës së Fitores më 9 maj. Ndër liderët e tjerë që pritet të marrin pjesë janë presidenti i Brazilit Luiz Inacio Lula da Silva, presidenti i Vietnamit To Lam dhe presidenti i Bjellorusisë Aleksandr Lukashenko.
Dita e Fitores ka rëndësi të veçantë për presidentin rus Vladimir Putin, i cili prej vitesh e përdor këtë datë për të rritur mbështetjen publike dhe për të treguar fuqinë ushtarake të Rusisë. Mijëra qytetarë pritet të mblidhen në Sheshin e Kuq të Moskës për të nderuar rolin e Bashkimit Sovjetik në mposhtjen e nazistëve dhe për të kujtuar mbi 25 milionë viktima sovjetike gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Muajin e kaluar, Putin shpalli një armëpushim të njëanshëm tre-ditor në Ukrainë me rastin e 9 majit, duke u justifikuar me “arsye humanitare”. Ky njoftim u prit me skepticizëm në Ukrainë, ndërsa Shtëpia e Bardhë rinovoi thirrjet për një armëpushim të përhershëm dhe një marrëveshje paqeje.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kritikoi armëpushimin duke deklaruar se është i gatshëm të pranojë vetëm një marrëveshje më të gjatë, prej të paktën 30 ditësh. Ai paralajmëroi liderët që udhëtojnë drejt Rusisë për festimet se Ukraina “nuk mban përgjegjësi për atë që mund të ndodhë në territorin e Federatës Ruse”, për shkak të konfliktit në vazhdim.
Zelensky theksoi se Ukraina nuk do të kontribuojë për krijimin e një atmosfere pozitive që mund të ndihmojë Putinin të dalë nga izolimi ndërkombëtar. Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme ruse reagoi duke i konsideruar deklaratat e Zelenskyt si kërcënuese.
Presidenti ukrainas gjithashtu ka kërkuar shpjegime nga Kina, pasi Ukraina zbuloi dy luftëtarë kinezë të kapur në prill, të cilët dyshohet se luftonin në krah të Rusisë. Ai pretendoi se ka shumë të tjerë si ta në radhët e trupave ruse. Pekini mohoi përfshirjen dhe përsëriti thirrjet që qytetarët e tij të mos marrin pjesë në asnjë aktivitet ushtarak në luftë.
Ndërkohë, Ukraina po mbështetet gjithnjë e më shumë tek përdorimi i dronëve për të balancuar avantazhin që ka Rusia në fuqinë njerëzore dhe burime. Të shtunën, Ukraina njoftoi se kishte rrëzuar për herë të parë një avion luftarak rus Su-30 në Detin e Zi, duke përdorur një dron detar./CNN