
Pas përfundimit të takimit elektoral në Kavajë, kryeministri Edi Rama ka përsëritur thirrjen për shqiptarët që jetojnë në Greqi që të marrin pjesë aktive në procesin zgjedhor duke kthyer vetë zarfet me votën e tyre në pikat postare të caktuara.
“Kemi progres shumë të mirë në Greqi. Po shkojmë drejt një rritjeje të zarfeve të kthyer,” u shpreh Rama në një videomesazh të shpërndarë në rrjetet sociale.
Duke i nxitur emigrantët të mos presin që fleta e votimit të merret në banesë nga posta, ai theksoi:
“Mos prisni që të vijë DHL-ja të marrë zarfet, por kthejini vetë në pikën përkatëse. Është pak mundim, por s’kemi çfarë bëjmë tani.”
Kreu i qeverisë i krahasoi përpjekjet për të votuar me sakrificat që shqiptarët e emigracionit kanë bërë ndër vite:
“Është një mundim shumë pakrahasimisht i vogël se gjithë mundimet që keni bërë në atë vend, për të qenë këta që jeni sot.”
“Ia vlen mundi i zarfit për atë që do bëjmë së bashku që ju të jeni zot në vendin tuaj,” tha Rama, duke shtuar se pjesëmarrja e diasporës është një hap drejt përmbushjes së një objektivi të përbashkët:
“Nëse doni të jetë BE, vendi ynë i përbashkët, atëherë votoni! Shqipëria është atdheu ynë, por vendi ynë do jetë Shqipëria në BE.”- tha ai.