Vendosni fjalën kyçe....

Nallbati i përgjigjet Ramës pas akuzës për rrugaçëri: Nuk ka më rrugaç se ti që shan me libër shtëpie në publik


Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun e Korçës, Bledjon Nallbati, ka reaguar ndaj kryeministrit Edi Rama, pasi ky i fundit e quajti “rrugaç” në vijim të incidentit të ndodhur së fundmi në Devoll, ku u përfshi edhe vëllai i deputetit demokrat.

Përmes një reagimi të publikuar në rrjetet sociale, Nallbati ka hedhur poshtë etiketimin e Ramës dhe e ka akuzuar kryeministrin si “njeriun më rrugaç në politikën shqiptare”, duke sjellë në vëmendje sjelljet e tij në publik dhe aleancat politike ndër vite.

“Kur Edi Ramës i prishet kompjuteri në zyrë dhe shan me libër shtëpie në publik, ai thotë se është thjesht njeri me nerva dhe pasion. Por kur kundërshtarët e tij sulmohen në rrugë dhe reagojnë, i quan rrugaçë. Kjo nuk është drejtësi, është hipokrizi”, shkruan Nallbati.

Ai shton se Rama nuk përfaqëson më një burrë shteti, por një individ që qëndron në pushtet falë lidhjeve me krimin. “Nuk ka rrugaç më të madh se ti, që erdhe në pushtet me ndihmën e një bande kriminelësh dhe vijon të qëndrosh aty prej tyre. Ke sjellë në parlament përdhunues, trafikantë dhe vrasës me pagesë. Kjo është përtej rrugaçërisë, është krim kundër atdheut”, vijon ai.

Nallbati shprehet se Rama është “një kukull në duart e mafies”, duke e akuzuar për kanabizimin e vendit, për lidhje me krimin e organizuar dhe për favorizim të kartelave ndërkombëtare të drogës përmes politikave të qeverisë.

“Ti mund të burgosësh vëllanë tim, mund të më burgosësh mua, por je i paaftë të burgosësh ata që të mbajnë peng”, shkruan më tej deputeti demokrat, duke e quajtur Ramën “burracak fjalëshumë e punëpak”.

Në përmbyllje të reagimit të tij, Nallbati shpjegon edhe arsyen pse, sipas tij, është vënë në shënjestër: “E kuptoj pse më sulmon – unë marr më shumë vota sesa ata ediramët që sjell në Devoll. Dhe këtu do të të mund – burracak!”, përfundon ai.