Shërbimi pionier i thirrjeve në internet Skype u mbyll zyrtarisht më 5 maj 2025, pas gati 22 vitesh në funksionim, sipas Microsoft. Kompania po e zhvendos fokusin në promovimin e aplikacionit të saj Teams.
Shërbimi u prezantua fillimisht në gusht 2003 nga Niklas Zennstrom, Janus Friis dhe katër zhvillues të tjerë estonezë, duke u ofruar përdoruesve mundësinë për të bërë thirrje zanore dhe video falas ose me kosto të ulët përmes internetit. Emri i programit rrjedh nga “sky peer-to-peer” – si e përshkruan zhvilluesit funksionalitetin e tij, shkruan Rt.
Shpejt Skype u bë një dukuri botërore, duke lejuar thirrjet Skype-Skype dhe thirrjet drejt linjave tradicionale fikse dhe telefonave celularë. Në kulmin e tij, Skype kishte më shumë se 300 milionë përdorues mujorë në mesin e viteve 2010 dhe konsiderohej gjerësisht si një pionier në komunikimin e bazuar në internet.
Skype ndërroi duar disa herë gjatë viteve përpara se të blihej nga Microsoft në 2011 për 8.5 miliardë dollarë. Që atëherë, kompania ka zhvendosur dalëngadalë burimet drejt platformës së saj Teams, e cila tani po pozicionohet si produkti i saj kryesor për biznesin dhe komunikimet personale.
Rritja e shërbimeve konkurruese si Zoom, WhatsApp, FaceTime dhe Google Meet luajti rol në rënien e popullaritetit të Skype në vitet e fundit. Në fund të shkurtit 2025, Microsoft njoftoi se do e mbyllte Skype dhe u kërkoi përdoruesve të kalonin te Teams, duke i lejuar ata të mbajnë kontaktet e tyre të vjetra dhe historikun e bisedave. Kompania tha se të dhënat do jenë të disponueshme për t’u transferuar deri në janar 2026, pas së cilës do fshihen përgjithmonë.
