Vendosni fjalën kyçe....

Kreu i Gjykatës së Lartë merr pjesë në Kongresin Botëror të Ligjit: Shqipëria mikpritëse në 2027


Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, mori pjesë në Kongresin Botëror të Ligjit, i mbajtur në Republikën Domenikane, ku theksoi nevojën për një shtet të së drejtës që përshtatet me zhvillimet shoqërore dhe teknologjike.

“Shteti i së drejtës nuk është një koncept statik. Ai është një parim i gjallë, që duhet të rritet bashkë me shoqërinë, shkencën dhe teknologjinë,” u shpreh Sadushi gjatë fjalës së tij në kongresin ndërkombëtar.

Ai e cilësoi si një moment historik faktin që Shqipëria do të jetë mikpritëse e Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027, duke e konsideruar këtë një vlerësim për reformat dhe përpjekjet e ndërmarra në sistemin e drejtësisë.

Gjatë punimeve të kongresit, Sadushi ndau përvojën e Shqipërisë në transformimin e sistemit gjyqësor, duke përmendur procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe forcimin e pavarësisë së gjyqësorit si hapa kyç. Ai vuri në dukje se vendi ka përqafuar teknologjinë për të rritur transparencën, efikasitetin dhe aksesin e qytetarëve në drejtësi.

Sipas tij, Gjykata e Lartë po përballet me sfidat e reja me standarde të larta profesionale dhe kushtetuese, ndërsa dixhitalizimi është shndërruar në një prej shtyllave kryesore të reformës. Platforma të hapura dhe sisteme moderne menaxhimi të çështjeve janë tashmë të aksesueshme për publikun, duke lehtësuar komunikimin me qytetarët përmes kanaleve zyrtare dhe rrjeteve sociale.

“Shqipëria është e gatshme të ndajë përvojën e saj dhe të kontribuojë në ndërtimin e një drejtësie globale, moderne dhe të aksesueshme,” përmbylli Sadushi, duke shtuar se Tirana do të mirëpresë juristë, akademikë dhe liderë nga mbarë bota në vitin 2027.