
Një tjetër incident i lidhur me fushatën elektorale është regjistruar mbrëmjen e djeshme në Lezhë. Opozita pretendon se disa prej makinave të tyre janë ndaluar pasi akuzohen për përpjekje për të blerë vota.
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili akuzon Partinë Demokratike për krijimin e një klime tensioni dhe provokimesh në qytet.
Ndreu tha se “bandat e PD-së po vazhdojnë të provokojnë tensione pa asnjë shkak”, duke përmendur bllokime rrugësh që, sipas tij, po kufizojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Ai përmendi një incident ku është bllokuar rruga e zv.kryetarit të Bashkisë, Fatjon Zefi, dhe kryetarit të PS Kolsh, Andi Marku, nën pretendimin se po kryhej blerje votash.
Kreu i bashkisë bëri thirrje për qetësi nga ana e mbështetësve të PS-së dhe kërkoi nga organet ligjzbatuese të ndërhyjnë me masa konkrete për të ndalur provokimet.
Reagimi i kryetarit të Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu:
Banda te PD vazhdojne te provokojne klime tensioni pa asnje shkak ne Lezhe! Bllokime rrugesh duke kufizuar levizjen e lire te njerezve jane bere shqetesuese! Bile nje nate kane ndaluar dhe punonjes policie!
Mbreme kane bllokuar rrugen me rrugace Zv kryetarit te Bashkise Lezhe Fatjon Zefi, Kryetarit te PS Kolsh Andi Marku! Moslejimi i levizjes ne zonat e veta dhe bllokimi i rrugeve me alibine idiote se po blihen vota, eshte shkelje flagrante e ligjit, dhe provokacion per te tensionuar fushaten ne kushtet e pamundesise per te siguruar mbeshtetjen elektorale!
Ju bej thirrje anetareve te PS te ruajne qetesine! Organet ligjzbatuese te marrin masat perkatese ndaj kujdo qe kufizon lirine e levizjes se cdo qytetari!
Karvane me makina me militante dhe arme levizin naten duke bere presione. Pse nuk duhet ne te aludojme se po bejne presion dhe po levizin duke blere vota?!
Keto jane sjellje te shemtuara qe nuk nderojne kulturen e lezhjaneve! Pseudo gangstere te ardhur gjoja me force elektorale, do shfryhen si tullumbace me 12 Maj!
Bllokimi i rruges se Zv Kryetarit te Bashkise Fatjon Zefi, i cili njihet si nje nga djemte me me integritet ne Lezhe, eshte vetedemaskimi me i qarte i farses se ashtuquajtur, “mbrojtje vote”!
Lezha sjua ka borxh kete sjellje primitive dhe provokim te ulet!
Ne nuk do te biem ne batakun e provokacioneve tuaja, megjithese e keni mbushe kupen! Por policia, prokuroria te veprojne sipas ligjit!