
Lideri konservator gjerman Friedrich Merz ka fituar votimin në Bundestag për t’u bërë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, pas një raundi të dytë vendimtar votimi, që pasoi një humbje të paprecedentë në përpjekjen e parë të së martës në mëngjes.
Në raundin e parë, Merz nuk arriti të sigurojë shumicën absolute, duke mbetur gjashtë vota poshtë kufirit të nevojshëm në parlamentin me 630 vende, gjë që përbën një dështim të rrallë dhe me pasoja për prestigjin e tij personal.
Kjo ishte hera e parë në 76 vite demokraci që një kandidat për kancelar nuk arrin të zgjidhet në raundin e parë të votimit.
Pas disa orësh pasigurie dhe diskutimesh mes partive dhe presidentes së Bundestagut, u ra dakord që votimi të përsëritej në të njëjtën ditë.
Në raundin e dytë, Merz fitoi me 325 vota – vetëm nëntë më shumë se shumica e nevojshme, përjell BBC.
Koalicioni i Merz-it me Socialdemokratët (SPD) duhej të siguronte 328 vota në total, por rezultoi se të paktën 18 deputetë kishin votuar kundër ose kishin abstenuar në raundin e parë, duke ngritur dyshime për përçarje të brendshme ose pakënaqësi ndaj marrëveshjes së koalicionit.
Megjithëse votimi ishte i fshehtë dhe nuk dihet zyrtarisht se kush nuk e mbështeti Merz-in, komentatorët politikë kanë sugjeruar se disidenca ka mundur të vijë nga brenda SPD-së.
Një zyrtar i lartë i socialdemokratëve, Ralf Stegner, mohoi që grupi parlamentar i partisë së tij të kishte shkelur marrëveshjen, duke deklaruar për BBC se “nuk ka asnjë shenjë se dikush nga grupi ynë nuk e kuptonte përgjegjësinë e tij.”
Në raundin e parë, nëntë deputetë mungonin, tre abstenuan dhe një fletëvotim u shpall i pavlefshëm.
Pas fitores së ngushtë në raundin e dytë, Merz, 69 vjeç, do të betohet si kancelar nga presidenti Frank-Walter Steinmeier dhe kabineti i tij prej 17 ministrash do të marrë detyrën.
Presidentja e Bundestagut, Julia Klöckner, kishte planifikuar që raundi i dytë të mbahej të mërkurën, por përfaqësuesit konservatorë kërkuan të mos pritej më. “Evropa ka nevojë për një Gjermani të fortë, ndaj nuk mund të presim ditë të tëra,” tha Carsten Linnemann, sekretar i përgjithshëm i CDU-së.
Johann Wadephul, koleg i Merz-it dhe kandidat për ministër të Jashtëm, e quajti dështimin e parë “një pengesë, por jo katastrofë”, ndërsa lideri i grupit parlamentar Jens Spahn theksoi rëndësinë e përgjegjësisë: “E gjithë Evropa, ndoshta edhe bota, po e ndjek këtë votim.”
Megjithatë, dështimi i parë u përshkrua si poshtërues nga shumë media gjermane dhe u shfrytëzua menjëherë nga opozita e ekstremit të djathtë. Partia Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila doli forcë e dytë në zgjedhjet e shkurtit me 20.8% të votave, kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja. “Kjo tregon dobësinë e koalicionit të vogël mes CDU/CSU dhe SPD, që u refuzua nga votuesit,” shkroi bashkëkryetarja Alice Weidel në rrjetin X.
Ish-kancelarja Angela Merkel ishte e pranishme për votimin e parë, por nuk u kthye për të dytin. Sipas komentuesve politikë në Bundestag, rezultati i raundit të parë sinjalizon vështirësi të mundshme për koalicionin në të ardhmen, edhe pse marrëveshja mes CDU/CSU dhe SPD u nënshkrua vetëm një ditë më parë dhe premton stabilitet pas gjashtë muajsh paralize politike.
Merz kishte premtuar të ringjallte rolin e Gjermanisë në arenën ndërkombëtare dhe të nxiste rritjen ekonomike pas dy viteve recesion. Ekonomia më e madhe e Evropës u rrit në tremujorin e parë të vitit 2025, por sfidat mbeten, përfshirë tarifat e vendosura nga SHBA dhe dobësimin e sektorit të shërbimeve për shkak të rënies së kërkesës së brendshme.