
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot takimin përmbyllës të fushatës në qytetin e Beratit, ku përballë një sheshi të mbushur me mbështetës, përcolli një mesazh të fortë politik: 11 Maji nuk është thjesht një ditë zgjedhjesh, por një mundësi për qytetarët që të ndahen nga ajo që ai e cilësoi si “e keqja e madhe e 12 viteve të fundit”.
Duke iu drejtuar qytetarëve të Beratit, Kuçovës, Skraparit dhe gjithë qarkut, Berisha falënderoi përzemërsisht për energjinë dhe përkrahjen që, sipas tij, ka karakterizuar gjithë fushatën. “Përshëndetjet e mia më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme për mbështetjen tuaj, për entuziazmin dhe optimizmin që i dhatë kësaj fushate. Për shpresën që mbollët çdo ditë anembanë Beratit,” u shpreh ai.
Në fjalimin e tij, Berisha solli në vëmendje situatën demografike të vendit, duke e përshkruar atë me tone alarmuese. Ai tha se Shqipëria po përjeton një krizë të thellë sociale, me lindshmëri në nivelet më të ulëta dhe emigracion masiv.
“Njoftohet se ne sot kemi lindshmërinë më të ulët në botë për shkak të emigracionit. Kemi shumë më tepër vdekje sesa lindje. Vetëm dje në Mat, një rreth i madh, kishte pasur vetëm 13 lindje në një vit. Imagjinoni. Kjo kudo. Një zbrazje,” tha Berisha.
Ai vlerësoi se kjo situatë nuk është rezultat i faktorëve natyrorë, por i keqqeverisjes së gjatë, që sipas tij, ka shkatërruar shpresën dhe ka detyruar të rinjtë të largohen.
Sipas Berishës, 11 Maji nuk është një ditë për partitë, por një ditë përgjegjësie kombëtare. “Është një ditë për çdo qytetar që pranon përgjegjësinë që ka ndaj vetes së tij, familjes së tij, ndaj Beratit dhe Shqipërisë,” tha ai. “Kjo në fakt është alternativa të jesh apo të mos jesh,” theksoi Berisha, duke nënvizuar se fati i rinisë shqiptare është në pikëpyetje.
Në këtë kuadër, ai prezantoi pjesë të programit të PD-së dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore, duke u fokusuar te reforma në arsim. “Sistemi arsimor i Shqipërisë do të jetë sistemi më modern, ai që punëson,” u zotua ai. Sipas tij, universitetet do të bashkëpunojnë ngushtë me bizneset për të garantuar praktika dhe punësim për të rinjtë.
Në aktivitet ishin të pranishëm edhe aleatët e PD-së, përfshirë kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, si dhe përfaqësues ndërkombëtarë si Filip Grifin – i prezantuar si i dërguar i kryestrategut të fushatës së Donald Trump, Chris LaCivita. Berisha e cilësoi këtë si një mbështetje të çmuar për opozitën shqiptare.
Duke e mbyllur fjalimin e tij me tone emocionale, Berisha u bëri thirrje qytetarëve të votojnë për ndryshimin. “Sirenat e alarmit bien për çdo shqiptar. Të shpëtojmë këtë vend me vetëdijen dhe përgjegjësinë tonë si shqiptarë. Shqipëria është në duart tona,” deklaroi ai.
Ky ishte takimi i fundit elektoral i Sali Berishës përpara zgjedhjeve të 11 majit, në të cilat opozita synon të rikthehet si forcë udhëheqëse, ndërkohë që vendi ndodhet përballë një klime politike të tensionuar dhe një sfondi të thellë socio-ekonomik.