Vendosni fjalën kyçe....

51,1% e ndërmarrjeve aktive nuk kishin të punësuar me pagë në 2023


Numri i bizneseve aktive në vend ka ardhur në rritje vitet e fundit, por më shumë se gjysma e bizneseve nuk deklarojnë të punësuar me pagë, referoi sot INSTAT në të dhënat demografike të ndërmarrjeve.

Sipas të dhënave zyrtare “Gjatë vitit 2023 mbi 51% e ndërmarrjeve aktive rezultojnë pa të punësuar me pagesë, 37,1% rezultojnë me 1-4 të punësuar me pagesë, 5,4% e ndërmarrjeve aktive rezultojnë me 5-9 të punësuar me pagesë dhe 6,4% e ndërmarrjeve aktive rezultojnë me 10 ose më shumë të punësuar me pagesë.

Në 2023 numri i ndërmarrjeve aktive ishte 125.736. Ndërmarrjet e reja ishin 13.346 dhe ndërmarrjet e mbyllura ishin 810.

Aktiviteti ekonomik me përqindjen më të lartë të punësimit të ndërmarrjeve të reja gjatë vitit 2023 ishte tregtia me shumicë dhe me pakicë dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave, me 20,9%, akomodimi dhe shërbimi ushqimor me 14,0% dhe ndërtimi me 11,2%.

Aktivitetet ekonomike me përqindjen më të madhe të ndërmarrjeve aktive gjatë vitit 2023 ishin tregtia me shumicë dhe me pakicë dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave, me 35,2%, akomodimi dhe shërbimi ushqimor me 14,3%, aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike me 7,9%.

Aktivitetet ekonomike me përqindjen më të lartë të punësimit gjatë 2023 ishin tregtia me shumicë dhe me pakicë dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave, me 21,8%, industria përpunuese me 15,5% dhe ndërtimi me 9,1%.

Në vitin 2023, aktivitetet ekonomike me përqindjen më të madhe të ndërmarrjeve të reja ishin tregtia me shumicë dhe me pakicë dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave, me 26,2%, akomodimi dhe shërbimi ushqimor me 13,3% dhe aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 8,8%.

Gjatë vitit 2023 rreth 61,5% e ndërmarrjeve të mbyllura rezultojnë pa të punësuar me pagesë, 28,5% e ndërmarrjeve të mbyllura rezultojnë me 1-4 të punësuar me pagesë, 4,6% e ndërmarrjeve të mbyllura rezultojnë me 5-9 të punësuar me pagesë dhe 5,4% e ndërmarrjeve të mbyllura rezultojnë me 10 ose më shumë të punësuar me pagesë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor