Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli planifikon të marrë nën kontroll gjithë Gazën, Netanyahu: Popullsia do të zhvendoset, për mbrojtjen e vet


Izraeli mund të marrë nën kontroll të gjithë Rripin e Gazës në një ofensivë të re kundër Hamasit, që është miratuar nga kabineti i sigurisë i kryeministrit Benjamin Netanyahu, kanë deklaruar zyrtarë izraelitë të hënën.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar një ofensivë të re ushtarake në Rripin e Gazës, duke e cilësuar atë si një operacion të “intensiv” me synimin për të mposhtur Hamasin, raporton Reuters.

Në një video të publikuar në platformën X, Netanyahu deklaroi se “popullsia do të zhvendoset, për mbrojtjen e vet”, duke theksuar se ky nuk do të jetë një operacion i përkohshëm. “Ushtarët izraelitë nuk do të hyjnë në Gaza për të kryer sulme e më pas të tërhiqen. Qëllimi është i kundërt me këtë,” u shpreh ai.

Një zyrtar i mbrojtjes tha se operacioni nuk do të nisë përpara përfundimit të vizitës së presidentit amerikan Donald Trump në Lindjen e Mesme javën e ardhshme.

Plani i ri parashikon një operacion gradual që mund të zgjasë për muaj të tërë, duke filluar me marrjen nën kontroll të një zone të caktuar në Gaza, sipas raportimit të transmetuesit publik izraelit Kan.

Aktualisht, forcat izraelite kanë marrë rreth një të tretën e territorit të Gazës, duke zhvendosur popullsinë dhe ndërtuar struktura të mbikëqyrjes.

Një zyrtar tjetër i qeverisë tha se ofensiva e re e miratuar synon të marrë të gjithë territorin e Gazës, të zhvendosë popullsinë civile drejt jugut dhe të sigurojë që ndihmat humanitare të mos bien në duart e Hamasit.

Shpërndarja e ndihmave, që deri tani është menaxhuar nga organizatat ndërkombëtare dhe Kombet e Bashkuara, do t’i kalojë kompanive private dhe do të fokusohet në zonën e Rafahut.

Sipas ushtrisë izraelite, që deri më tani nuk ka shfaqur vullnet për një pushtim të plotë të Gazës, nuk ka ende një koment zyrtar mbi planin.

Por shefi i shtabit izraelit, gjenerali Eyal Zamir, ka nisur mobilizimin e dhjetëra mijëra rezervistëve për të zgjeruar fushatën ushtarake.

Megjithatë, zyrtarët izraelitë kanë lënë të hapur mundësinë për një marrëveshje armëpushimi gjatë vizitës së Trump, nëse arrihet një marrëveshje për lirimin e pengjeve.

Në mungesë të saj, ofensiva e koduar si “Karrocat e Gedeonit” do të nisë me “intensitet të madh”, sipas një zyrtari të mbrojtjes.

Hamas ka refuzuar presionin izraelit, duke deklaruar se do të pranojë vetëm një marrëveshje që përfshin një armëpushim të plotë, tërheqje totale të ushtrisë izraelite, rindërtim të Gazës dhe lirimin e të gjithë të burgosurve nga të dyja palët.

Plani i ri i ndihmave humanitare nga Izraeli ka hasur në kundërshtime të ashpra nga agjencitë ndërkombëtare. Jan Egeland, sekretari i përgjithshëm i Këshillit Norvegjez për Refugjatët, shkroi në platformën X se Izraeli po kërkon që OKB-ja dhe OJQ-të të ndalojnë shpërndarjen e ndihmave në Gaza.

Zyrtarët izraelitë gjithashtu pranojnë sfida të mëdha gjeopolitike në rajon, duke përfshirë kërcënimet nga Houthit e mbështetur nga Irani në Jemen, situatën e brishtë në Siri dhe tensionet në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Ndërkohë, zërat radikalë brenda qeverisë izraelite kanë mirëpritur planin për pushtimin e plotë të Gazës.

 “Më në fund do të pushtojmë Gazën. Nuk kemi më frikë nga fjala ‘okupim’”, tha ministri i Financave, Bezalel Smotrich.