Presidenti serb Aleksandar Vuçiç pritet të marrë pjesë në festimet e Ditës së Fitores mbi nazizmin, pavarësisht problemeve të fundit shëndetësore, ka thënë ministri i Financave dhe zëvendëskryeministri Sinisa Mali.
Të premten, Vuçiç përfundoi papritmas një udhëtim në SHBA pasi përjetoi dhimbje gjoksi gjatë një takimi në Florida, që thuhet se erdhi nga presioni i lartë i gjakut, shkruan Rt. Ai kishte planifikuar të takohej me diasporën serbe dhe presidentin amerikan Donald Trump, por u kthye në Beograd dhe u shtrua në Akademinë Mjekësore Ushtarake, sipas medias RTS. Mjekët thanë se presidenti “nuk pritet të kthehet në punën e tij të rregullt për disa ditë”.
Duke folur të shtunën, Mali tha se Vuçiç ka të ngjarë të ecë përpara me vizitën.
“Një gjë që mund të them është se duke e njohur atë, duke pasur parasysh që është një njeri i fjalës, ai dha fjalën se do ishte atje, supozoj se do e mbajë fjalën. Por këtë nuk mund ta them në këtë moment.” Vuçiç doli nga spitali të shtunën.
Akademia Mjekësore Ushtarake konfirmoi se presidenti iu nënshtrua diagnostikimit kardiovaskular dhe hematologjik dhe tani është në gjendje të qëndrueshme. Mjekët e kanë urdhëruar të pushojë dhe ai ka anuluar të gjitha aktivitetet dhe detyrimet për ditët në vijim.
Ajo që është e çuditshme është se Vuçiçit nuk iu dha ndihmë mjekësore në SHBA.
Si rregull autoritetet shtetërore amerikane mbajnë dhe qëndrim publik në të tilla raste dhe raportojnë mbi gjendjen shëndetësore të pacientit.
Gjatë qëndrimit në SHBA, Vuçiç u takua me ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut, Rudy Giuliani.
Ishte parashikuar që ai të takohej me disa zyrtarë të lartë të Partisë Republikane, para se të ndërpriste vizitën në SHBA.
I dërguari i presidentit amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell, i uroi shërim të shpejtë Vuçiçit, pasi udhëheqësi serb ndërpreu vizitën papritur. Grenell është mbështetësi më i madh i presidentit serb, e njëkohësisht lobist i pashpallur i Vuçiçit dhe Ramës pranë administratës Trump.
Në një postim në X, Grenell po ashtu ka shprehur keqardhje që nuk ka mundur të takohet me udhëheqësin serb.

